Rrëfimet dhe sakrificat e nënave shqiptare, të rrisësh jetimë pas një tragjedie

 Rrëfimet dhe sakrificat e nënave shqiptare, të rrisësh jetimë pas një tragjedie

“(Im shoq) Është marrë para syve tonë. E ka pasur vajzën në dorë dhe i kanë thënë ta lëshojë vajzën. E kanë marrë pa asnjë arsyetim tjetër”

Këto janë fjalët e Edi Dylhasit nga Gjakova, e cila para 22 vitesh, pa me sytë e saj sesi forcat serbe i morën të shoqin, Myrtezain. Në atë kohë ai ishte 25 vjeç dhe së bashku me të shoqen kishin një vajzë 2 vjeçe. Që nga ajo kohë, asgjë nuk dihet për fatin e Myrtezait, ndërsa Edit i është dashur të rrisë e vetme vajzën, Gentën.

“Sapo kishim nisur të krijojmë familje… E pastaj më është dashur ta vazhdoj jetën krejt e vetme, që ta rris vajzën. Bota më është dukur se më ka rënë mbi kokë”, tregoi ajo për Rel.

Sakrificat e kësaj nëne kanë qenë të panumërta. Për një dekadë ajo arriti të jetojë vetëm falë ndihmave të disa shoqatave. Qëllimi i saj i vetëm, ishte shkollimi i Gentës.

“Dhjetë vjet kam qenë pa punë, vetëm me ndihma. Kam kursyer për kujdesin ndaj vajzës. Pas një kohe jam punësuar, veten e kam lënë anash për ta shkolluar vajzën”, tregon Edi.

“Jeta vetëm është shumë e vështirë, gjithmonë duke i shikuar sytë e të tjerëve. Nuk kam fjalë për të përshkruar sesa e vështirë është. Për çdo problem duhet të merresh vetë. Tash e kisha në një operacion vajzën, e krejt duhet të vraposh vetë”, përfundon ajo.

Ta njohësh babain vetëm nga fotografitë

Ky ka qenë fati i Erblin Ujkanit. Babanë e tij Nexhatin, Erblini e ka njohur vetëm përmes fotove. Prezenca e vetme fizike e Nexhatit është një foto në murin e shtëpisë së familjes nga Mitrovica. Drita e Nexhati jetuan si burrë e grua për 5 vite… Nexhati ishte 31 vjeç kur në maj të vitit 1999, së bashku me vëllanë e të shoqes, u qëlluan për vdekje nga forcat serbe. Trupat e tyre u gjetën 4 vite më vonë.

Erblini në atë kohë ishte vetëm 3 vjeç kur mbeti pa të atin.

Drita, nëna, sot është 53 vjeçe. Ajo kujton me dhimbjet ditët e vështira e jetën e saj të vuajtur.

“Burri ma ka lënë një djalë. E kam rritur djalin me vuajtje. Një kohë kam jetuar në shatorr, pastaj një shoqatë na e ndërtoi një shtëpi. Kushtet e vështira, me 62 euro kam jetuar dhe më vonë, e kanë bërë 170”, tregon Drita.

“Duhet të sigurohen të gjitha gjërat për familje, edhe drunjtë (për ngrohje gjatë dimrit). Djali është rritur, por edhe ai është i papunë. Që tri vjet e ka kryer shkollën dhe në mungesë të kushteve nuk e ka vazhduar fakultetin dhe tash është në shtëpi.

E vështirë shumë, veç ai që e provon e dinë sa është e vështirë. Edhe të rrisësh fëmijë, edhe të mbash shtëpi, të përgatitësh për djalin, me veshmbathje e të gjitha”, thotë më tutje Drita.

Burimi: Rel/ Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info