Rrëfimi i 82 vjeçarit, mbase i vetmi burrë shqiptar që end sot sixhade në tezgjah

 Rrëfimi i 82 vjeçarit, mbase i vetmi burrë shqiptar që end sot sixhade në tezgjah

Ishte 8 vjeç kur nisi të mësojë sesi endet në tezgjah. Sot është 82 vjeç e për dekada me radhë nuk e ka braktisur zanatin. Vijon të bëjë sixhade, rrugica, thurje e madje dhe veshje popullore. Quhet Aziz Tafa dhe jeton në Darëzezë të Fierit.

Në një intervistë për median, Azizi kujton kohën kur kuptoi se puna në tezgjah do të ishte pasioni i jetës së tij. Nëna e të moshuarit i kishte thënë se zanati i ngjan vesit të duhanit, lihet me vështirësi.

“Nëna thoshte jo biri nënës, nuk është për burrat kjo punë, por për gratë. Se është si puna e duhanit tehzgjahu thoshte, nuk e lë dot më.”-tregon i moshuari.

Por pavarësist këshillës së nënës, Azizi e vijoi këtë zanat. E mbase ai është mashkulli i vetëm në Shqipëri që vijon ende të nxjerrë prej tezgjahut të tij të vjetër, sixhade, e të tjera punime popullore.

“S’e kisha për gjë. Më thonin bravo të qoftë, por habiteshin e më thonin qysh duron dot, qysh qendis ti, qysh punon me grep e tjerr”

82 vjeçari ka punuar për afro 7 dekada e thotë se këtë zanat nuk e ka vetëm profesion, por edhe pasion. Madje dashurinë e përkushtimin për këtë zanat të vjetër, ia ka trashëguar dhe 4 vajzave të tij.