Shqipëri, 18 vjeçaret po kryejnë më shumë aborte në vend

 Shqipëri, 18 vjeçaret po kryejnë më shumë aborte në vend

Kur fjala vjen tek abortet, një fenomen shqetësues është fakti se ato kryhen më së shumti nga adoleshentët. Të paktën këtë panoramë sjellin të dhënat e institutit të statistikave, ku për çdo 1 mijë lindje të gjalla, 140 ndërprerje shtatzanie ndodhin tek vajzat 18 vjeçare.

Mbi fenomenin në fjalë, mjekët argumentojnë se shkak i abortit në tërësi është vetë mosha dhe papërgjegjshmëria e të rinjve.

 “Kryesisht, shkak është mosha e re. Nuk janë të përgjegjshëm, nuk e shikojnë veten si baba ose nënë e ardhshme. Pra nuk ka shkaqe mjekësore në këto mosha, ose të paktën shumë rrallë. Kryesisht janë vendime që merren nga të dy partnerët”.- thotë gjinekologu Ernald Zeqja.

Një tjetër fenomen është ulja e moshës së kontaktit seksual, që sipas mjekëve gjinekologë është një ndër arsyet e shtimit të aborteve tek vajzat adoleshente.

“Me hapjen, me lirinë që ne kemi këto vite, patjetër që kjo moshë është ulur. Dhe kjo ka edhe problemet e veta. Një gjë tjetër që vërej është mungesa e informacionit. Dikur kishte shumë organizata që merreshin me informimin mbi kontracepsionin. Tani nuk ka. Abortet tek adoleshentët ndodhin bile në familje të miredukuara, të mirarsimuara dhe me të ardhura ekonomike të mira”, thotë Zeqja në një prononim për A2Cnn.

Po sipas të dhënave nga INSTAT, në harkun kohor të 5 viteve të fundit, janë kryer afro 26 mijë aborte. Kujtojmë se shifrat nuk paraqesin një panoramë totale, pasi në shumë raste abortet nuk raportohen