Shqiptari e serbi dënohen me mbi 21 vite burg për krime lufte në Kosovë

 Shqiptari e serbi dënohen me mbi 21 vite burg për krime lufte në Kosovë

Gjykata themelore e Prishtinës ka dënuar me 14 vite e 6 muaj burg shtetasin serb Zllatan Kërstiç dhe me 7 vite shtetasin shqiptar Destan Shabani, nën akuzën e krimeve të luftës kundër popullatës civile gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Vendimi është dhënë ditën e djeshme nga gjykata në lidhje me disa krime lufte të kryera në vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme në Ferizaj.

Zllatan Kërstiç u akuzua dhe dënua për veprën e sulmit ndaj popullatës civile, konkretisht dënimin e 15 anëtarëve të një familje dhe marrjen peng të 4 personave (nga po e njëjta familje). Sipas prokurorisë, shtetasi serb më 1 prill të ’99 mori pjesë në keqtrajtimin, torturimin, gjymtimin e më pas vrasjen me armë të 4 personave, në fjalë të cilët më pas janë hedhur anës së rrugës.

I akuzuari tjetër, Destan Shabani, u akuzua dhe dënua sepse në atë kohë si pjesëtar i forcave policore serbe, në cilësinë e inspektorit, ka urdhëruar që trupat e të vrarëve, të varrosen pa dinjitet dhe pa respektuar ritet fetare, në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara në të drejtën humanitare ndërkombëtare. Viktimat ishin marrë përmes një kamioni dhe ishin hedhur në një varr masiv. Sipas organit të akuzës, Destani kishte udhëruar një person me emrin Maksut, që të hapte një gropë me eskavator për të hedhur trupat.

Në seancën gjyqësore ishin të pranishëm disa prej familjarëve të fisit që u dëbua e vra nga tokat e veta në Nerodime, por edhe familjarë të të akuzuarve.

Familjarët e viktimave u shprehën pak të kënaqur për sasinë e viteve të burgut me të cilët u dënuan dy të akuzuarit, ndërsa avokati mbrojtës i shtetasit shqiptar, u shpreh për median se vendimin do ta ankimojnë, pasi nuk ka asnjë provë konkrete.