Si të mbrohemi nga i nxehti, disa këshilla nga autoritetet mjekësore të Shqipërisë e Kosovës

 Si të mbrohemi nga i nxehti, disa këshilla nga autoritetet mjekësore të Shqipërisë e Kosovës

Duke filluar nga dita e nesërme e deri në fundin e kësaj jave, pritet që temperaturat në Shqipëri të arrijnë në vlera ekstreme, deri në 41 gradë celcius, sipas meteorologëve.

Në të tilla kushte, është e udhës që qytetarët të evitojnë daljet në fasha orare nga ora 11:00 deri në orën 17:00, hark kohor në të cilin ka temperatura të larta.

Po ashtu është i këshillueshëm konsumi i sa më shumë lëngjeve (ujit në veçanti) dhe kujdesi ndaj lëkurës. Qytetarët duhet të kenë parasysh se ekspozimi në diell për një kohë të gjatë (sidomos me këto temperatura të larta) mund të sjellë dehidratim të trupit e për pasojë dhe shumë probleme të tjera si dhimbje koke, të vjella, e deri në komplikime serioze si ato në sistemin kardiovaskular.

Një kujdes i shtuar duhet treguar nga personat në moshë, të cilët s’duhet ta ekspozojnë veten në temperatura të larta. Vëmendje të shtuar duhet patur edhe nga qytetarët që vuajnë nga sëmundje kronike, të zemrës apo diabetit, pasi temperaturat e larta mund të sjellin komplikacione në shëndetin e tyre.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore në Shqipëri, ka përcjellë disa këshilla për qytetarët, të cilat i gjeni të radhitura si më poshtë:

  • Parandalimi i dëmtimeve nga i nxehti:
  • – Evitoni ekspozimin në diell nga ora 11:00 – 17:00, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
  • – Ambienti të jetë i freskët dhe ajrosur mirë. Të vendosen perde të errëta në dritare që janë të ekspozuara ndaj rrezatimit të diellit.
  • – Të pihen sa më shumë lëngje, kryesisht ujë.
  • – Konsumoni vakte ushqimore të shpeshta dhe në sasi të vogël. Të ftohta dhe me përbërës ushqimorë të tretshëm.
  • – Vishuni me rroba të lehta, me ngjyra të hapura dhe prej pambuku ose linoje.
  • – Për personat që përdorin terapi mbajtëse të mos e ndërpresin ose ndryshojnë pa u konsultuar me mjekun.
  • – Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët dhe pa u tharë me peshqir.
  • Për çdo Urgjencë Mjekësore telefononi në numrin pa pagesë 127.

Ndërsa më poshtë, gjeni rekomandimet e dhëna po këtë të martë nga ana e autoriteteve shëndetësore të Kosovës, të cilat kanë radhitur një sërë këshillash për qytetarët

QYTETARË KUJDES!

TEMPERATURAT E LARTA JANË RIKTHYER!

Temperaturat e larta që mbretërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidmos te të moshuarit. Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtIt që çon në dehidrim të organizmit përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale.

Masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike janë:

  • 1. Personat e moshuar asesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;
  • 2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta;
  • 3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; poashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;
  • 4. Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial;
  • 5. Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familijar ose në qendrën më të afërt emergjente;
  • 6. Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjtë dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa herë gjatë ditës;
  • 7. Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar;
  • 8. Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt;
  • 9. Është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, qëndrimi sa më i gjatë në natyrë (park, shëtitore etj).
  • 10. Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i moshuari.