Si u kthye ky gjest human, në objekt abuzimi e sulmesh raciste

 Si u kthye ky gjest human, në objekt abuzimi e sulmesh raciste

Shumë shpesh kemi dëgjuar për shprehjen e ‘fshatit global’, sesi distancat në botën ku jetojmë janë zhdukur krejtësisht kur fjala vjen për komunikimin. Sot mund të jetosh në Shqipëri dhe të mësosh gjithçka ndodh në anën tjetër të globit falë teknologjisë.

Por teksa distancat janë bërë krejtësisht të papërfillshme, ka edhe pasoja negative. Më shumë komunikim nuk do të thotë domosdo diçka e mirë. Ndër të tjera, më shumë komunikim, do të thotë dhe më shumë konflikt.

Një rast i tillë ka ndodhur me imazhin e një vullnetareje të Kryqit të Kuq, e cila përqafoi dhe ndihmoi një emigrant që kishte kaluar kufirin nga Maroku në enklavës spanjolle të Seutës (Afrika e Veriut).

Imazhi prekës, që tregon një moment human, shpejt u bë po ashtu dhe objekt i përplasjeve, ofendimeve e sulmeve.

Vullnetarja e Kryqit të Kuq, e quajtur Luna Rejes (Reyes), u shpreh për median se pas këtij momenti, në profilin e saj në rrjetin social, ishte sulmuar e përqeshur në komente nga një numër i madh personash. Shumë prej tyre kishin bërë komente raciste, tregoi vullnetarja, ndërsa plot të tjerë kishin shprehur kundërshtitë e tyre ndaj emigrantëve në tërësi.

“Ata panë që përqafova një njeri me ngjyrë dhe më thonin sharje të tmerrshme raciste”,”-tha 20 vjeçarja në një intervistë për një televizion spanjoll.

Vetë Luna Rejes u shpreh se përqafimi ishte “gjëja më normale në botë”, kur ajo pa një njeri të dëshpëruar, duke qarë dhe të rraskapitur.

Pas daljes së lajmit kudo në media se 20 vjeçarja ishte sulmuar për gjestin e saj human, një kundërpërgjigje erdhi, po në internet e rrjetet sociale. Njerëzit përcollën mesazhe pozitive dhe falenderuese për gjestin human  të 20 vjeçares, ndërsa në Spanjë hashtagu ‘Gracias Luna’ u kthye në viral.

S’mund të lejojmë që ndjenjat e inatit të fitojnë mbi ne. Ata që e shohin këtë përqafim si një simbol që përfaqëson vendin tonë, fituan mbi të tjerët”- tha një prej zyrtarëve në Madrid, Rita Maestre.