Tre jetë të humbura në një aksident, polumbarët nxjerrin nga kanali viktimën e tretë

 Tre jetë të humbura në një aksident, polumbarët nxjerrin nga kanali viktimën e tretë

Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në rrugën Milot-Mamurras, ku për pasojë kanë humbur jetën tre persona.

Makina e llojit “Toyota” ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga e përfunduar në një kanal me ujë aty pranë. Fillimisht autoritetet raportuan për humbjen e jetëve të një 45 vjeçari banues në Durrës dhe një 39 vjeçari nga Tirana.

Por në ujë është gjetur këtë të mërkurë i pajetë nga polumbarët edhe një viktimë e tretë, që udhëtonte së bashku me dy burrat. Ai është identifikuar si N.Gjoni, banues në fshatin Gjegjan, Pukë. Dy prej viktimave janë të afërt me njëri- tjetrin dhe mësohet se ditën e djeshme ishin në një varrim.

“Në aksin rrugor Milot-Mamurras, mjeti tip “Toyota” ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal me ujë, ku për pasojë kanë humbur jetën shtetasit S.D.,45 vjeç, banues në Durrës dhe U.P.,39 vjeç, banues në Tiranë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje  dhe  vijon punën për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes, si dhe shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet përgjatë kanalit nëse në automjet ka pasur shtetas të tjerë.”-njoftoi fillimisht policia, ndërsa më pas dha detaje në lidhje me viktimën e tretë.

“Në vijim të informacionit paraprak, ju informoj se në automjetin tip “Toyota” ku humben jetën 2 shtetas, rezultoi që ndodhej dhe shtetasi  Nikoll( Dritan) Gjoni, banues në fshatin Gjegjan, Pukë, u cili u gjet i pajetë pas kërkimeve intensive nga polumbaret.”