“U rrita i varfër, as këpucë nuk kisha” Kush është shqiptari që bëri vepër të madhe bamirësie

 “U rrita i varfër, as këpucë nuk kisha” Kush është shqiptari që bëri vepër të madhe bamirësie

“Jam rritur i varfër, as këpucë nuk kishim, ecnim zbathur, çfarë binte jashtë futej në shtëpi, kam kaluar një fëmijëri në varfëri”

Këto janë fjalët e një burri me zemër të bardhë. Isni quhet dhe jeton në Zvicër. Vendosi të vijë në Durrës ditët e fundit, me një mision të madh dhe fisnik.

Isniu kujton ditën kur pa rastin e një vogëlushi të varfër. “Vetëm çorbë hamë” thoshte ai, ndërsa bashkë me motrën e vëllanë flinin mbuluar me plastmas…

“Thuajse i kisha harruar ato çaste, derisa pashë tre fëmijë të familjes Rrapo në Këlcyrë, mbuloheshin me plasmas, dhe mu kujtua gjithçka, ndjeva emocion dhe lot”- tregoi Isniu.

Familjen në fjalë e bëri me shtëpi të re emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe ata mijëra shqiptarë bamirës, që dhanë diçka nga vetja e tyre, për t’i sjellë buzëqeshjen fëmijëve.

Isniu tregoi se kur pa buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve, zemra iu mbush me gëzim. Një gëzim e lumturi që e shtyu këtë zotëri, të bëjë një gjest human, një vepër me plot fjalën, të mrekullueshme.

“Kur ata fëmijë falë ndihmës tuaj dhe shqiptarëve hynë në shtëpi të re, u gëzova shumë, u gëzova si fëmijë sepse mu kujtua fëmijëria ime, ndaj misioni im sot si baba, si mërgimtar, si burrë, si shqiptar është të dhuroj këtë banesë, për fëmijë jetim, për nevojtarë.

Më besoni, jam më i gëzuar sot që po e dhuroj, se ditën kur e kam blerë, ta gëzojnë fëmijët e pamundur shqiptarë.”- e mbylli Isniu fjalën e tij.

Isniu vendosi të dhurojë banesën e tij në Durrës, një banesë e cila pas rregullimeve e mobilimit që do t’i bëjë Fondacioni ‘Firdeus’, do të mirpresë e gëzojë një tjetër familje nevojtare.