“4 fëmijë i humba gjatë luftës… në 2020 humba këmbët, 6 herë m’i shkurtuan në operime”

 “4 fëmijë i humba gjatë luftës… në 2020 humba këmbët, 6 herë m’i shkurtuan në operime”

Një jetë e vështirë. Madje për disa mund të quhet e papërballueshme. Por ai e gjen shpjegimin tek Zoti. Deshi Ai lart dhe Bujari jeton sot edhe pse i sprovuar rëndë.

Quhem Bujar Rushiti, 51 vjeç, vij nga Kosova, qyteti i Gjilanit. Jam i martuar, kam dy djem e një vajzë. Vajza është e martuar, djali është 23 vjeçar, është me epilepsi. Ai as nuk ndien e as nuk fol, është me terapi të rëndë, vetëm terapia 150 euro i kushton në muaj.”

Dhimbjet e Bujarit nisin kaherë. Në kohën e luftës ai humbi 4 fëmijë. Kujton gjatë rrëfimit si humbi fëmijët binjakë

Bujari: 4 fëmijë i kam humbur, në kohë të luftës. Atëherë punonin serbët në spitale, kisha binjakë por nuk patën trajtim të mirë shëndetësor e kanë vdekur…

Por sprovat e këtij babai nuk përfunduan me kaq. Ato erdhën në trupin e tij. Në vitin 2019 ai pëson një goditje në zemër, ndërsa një vit më zonë një trombozë. Kjo e fundit do t’i kushtonte të dyja këmbët.

Bujari: Vështirë ka qenë boll, por s’kemi çfarë të bëjmë. Unë vetë në 2014 pata një sulm në kokë. E kam ditur që kam qenë sëmurë prej diabetit. Kam ndenjur 2 javë ndërsa gjysma e fytyrës më ishte paralizuar. Por me terapi e mora veten. Në 2019 e pata një sulm në zemër, operimi kaloi mirë… në 2020 pata problem me trombozën… tromboza m’i dëmtoi rëndë këmbët e kur më shpinë në operacion thanë se 99% është i vdekur.

Por Zoti ka desht dhe shpëtova prej operacionit… ama këmbët kanë thënë se duhej të mi këpusnin. 6 herë kam bërë operim, këmbët me i shkurtu…unë kam qenë i traumatizuar, nuk kam ditë gjë. Vetë Zoti ka desht, më ka dhënë ymër me jetu hala. Unë nuk jam më i aftë për fëmijë, me punu, kurrgjë hiç.

Ashtu si plot nevojtarë të tjerë, Bujari erdhi në Tiranë tek qendra e Izet Onuzit, një bashkëvuajtësi njëlloj si ai, i cili ndihmon personat me aftësi të kufizuara me proteza. Misionit të Izetit i është bashkuar sërish fondacioni Firdeus e “Shqiptarët për Shqiptarët”, për t’i ardhur në ndihmë me dhurimin e fondeve për bërjen e protezave.

“Këtu kemi ardh për protezat. Falenderuam fondacionin “Fierdeus”, “Shqiptarët për Shqiptarët” që mujtën me na ndihmu, që të ngrihemi dhe njëherë në këmbë, që të mundem të paktën për nevojat e mia personale.”-tregon Bujari.

Për të parë sesi shqiptarët ndihmojnë këta nevojtarë, klikoni në artikullin e mëposhtëm.