“Jam 72 vjeç, të dyja këmbët i kam të prera… me pensionin nuk e përballoj dot një protezë”

 “Jam 72 vjeç, të dyja këmbët i kam të prera… me pensionin nuk e përballoj dot një protezë”

A e keni menduar ndonjëherë, sesi është të jetosh pa njërën dorë, pa njërën këmbë… pa të dyja duart, apo pa patur mundësinë për t’u çuar në këmbë?

Përgjigjen e këtyre pyetjeve e jetojnë çdo ditë këta shqiptarë. Fjalët e tyre tregojnë më së miri se çdo të thotë të jeton si person me aftësi të kuzifuara.

Ata kanë ardhur në derën e Izet Onuzit, një bashkëvuajtës i tyri, me një histori krejt ndryshe nga shumë shqiptarë të tjerë.

“Jam lindur e rritur në Tiranë. Jam 72 vjeçar. Kam nja tre vite që i kam të dyja këmbët e prera. Me një pension prej 120 mijë lekësh të vjetra, nuk e përballoj dot të blej një protezë, janë të shtrenjta.”

“Unë jam nga Korça. Aksidenti më ka ndodhur në ’97, me një gëzhojë predhe. Unë banoj në kat të tretë, e duhet të zbresësh me paterica… ndonjëherë thyen kokën, rrëshket.”

“Jam nga Tropoja. 49 vjeç. Jam aksidentuar me lëndë eksplozive. Nuk e mbaj mend momentin, vetëm kur gjeta veten në spital. Keq u ndjeva, por s’kisha çfarë me bërë. Edhe invaliditetin ma kan hek, tash pa punë.”

“Vij nga Elbasani. U aksidentova në 2010, treni më preu këmbën. Shpirti jonë e di sesa keq kemi qenë, por jemi gjallë.  Më keq nuk ka ku shkon më, se nuk mund të bëjmë dot gjë derisa kemi patericat në dorë”

“Jeta ime kështu ka qenë, qëkur kam prerë këmbën. Jam vrarë që në kohën e Partisë së Punës, më zuri traktori këmbën. Vështirë ka qenë, se kam pas kalamajtë e vegjël, e zorri ka qenë me i mbajt. Nuk kam patur të ardhura, vetëm një pension të vogël… ato kërkesat tona nuk plotësohen ndonjëherë”

“Unë jam diabetik e prej diabetit, e kam këputur këmbën para dy vitesh. Ka qenë e vështirë, shumë kriza kam patur… mandej kam ardhur tek Izeti”

“Në këmbë më doli një plagë. Nuk shërohej, e mbajta 13 vjet e më pas doktorët më prenë këmbën. Ishte një fatkeqësi e madhe”

Por kur shqiptarët janë bashkë, sprovat mund të lehtësohen, vështirësitë mund të tejkalohen. Në bashkëpunim me Izetin, Fondacioni “Firdeus” është rikthyer sërish për të ndihmuar nevojtarët, duke u siguruar të ardhurat për kryerjen e protezave për secilin prej tyre.

Shikojeni këtu se çfarë bëjnë shqiptarët, kur janë të bashkuar