Të lidhur në mes të ftohtit dhe pa ngrënë, skena mizore me qentë endacakë në Pogradec

 Të lidhur në mes të ftohtit dhe pa ngrënë, skena mizore me qentë endacakë në Pogradec

Një ngjarje e trishtë për një qytet që të kujton poezinë e Lasgushit. Dhjetëra qen janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore në një ambient në fshatin Gurras, që dikur ka funksionuar si repart ushtarak.

Rreth 40 qen të pastrehë janë lënë të ngordhin të lidhur dhe pa ushqim nën temperaturat e ftohta të ditëve të fundit, të cilat atje kanë shkuar deri në minus 12 gradë celcius.

Qentë endacakë janë lidhur në tokë dhe janë lënë në mëshirë të fatit. Shumë prej tyre kanë ngordhur e më pas janë hedhur në një grupë aty pranë.

Skena e shëmtuar u bë publike fillimisht në rrjetin social instagram nga Arsalbania, e cila deklaronte se transportimi i kafshëve është bërë nga ana e bashkisë së qytetit. Një person ishte punësuar për t’i mbledhur qentë endacakë. Ky i fundit ka folur për median ditën e djeshme, duke thënë se pushteti

“Gjatë gjithë kohës që unë kërkoja të sigurohej baza ushqimore, nuk u sigurua ushqim përveçse 200 kilogramëve, asgjë më shumë. Kam kundërshtuar, por kam patur pasoja. Paralajmërim për përjashtim nga puna, por unë kam qëndruar korrekt”-tha ish punonjësi.

Ndërkohë bashkia Pogradec ka bërë një kallëzim për rastin në fjalë për gjetjen e fajtorëve, por nga ana tjetër nuk ka dhënë asnjë shpjegim sesi kafshët janë lënë në të ftohtë dhe të ngordhin urie.

Kjo nuk është hera e parë që në Shqipëri opinion publik është përballur me raste flagrante të dhunës dhe mizorisë ndaj kafshëve. Kujtojmë se pak muaj më parë në media u publikuan disa foto të një makine që tërhiqte zvarrë në rrugë, një qen. Thuajse çdo vit në media raportohen ngjarje të tilla të shëmtuara.