Trafikantët hedhin në det 80 emigrantë, 20 prej tyre mbyten

 Trafikantët hedhin në det 80 emigrantë, 20 prej tyre mbyten

Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e djeshme, ku disa kontrabandistë raportohet të kenë hedhur në det rreth 80 emigrantë që ishin nisur nga Afrika drejt Jemenit.

Lajmin e ka konfirmuar dhe zëdhënësi regjional i Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (Kombet e Bashkuara) Mohammed Abdiker, i cili shtoi se rreth 200 emigrantë po tentonin të iknin nga varfëria përmes barkave të trafikantëve të qënieve njerëzore.

Pas thuajse një ore në det, kontrabandistët kanë nisur të bërtasin se ka shumë njerëz në bord dhe se duhet të hidheshin disa prej tyre. 80 emigrantë janë hedhur dhe sipas mediave të huaja, 20 prej tyre kanë gjetur vdekjen.

Një tjetër zëdhënëse e Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, u shpreh për median e huaj se në barkën e emigrantëve kishte në shumicën dërrmuese të rinj e të reja, madje edhe fëmijë të mitur.

Kjo është hera e tretë në më pak se 6 muaj, që ndodhin të tilla tragjedi. Emigrantët po kalonin në detin e Kuq me shpresën për një jetë më të mirë. Po sipas mediave të huaja, nga uji janë nxjerrë 5 persona të pajetë, ndërsa ata që shpëtuan janë transportuar drejt qendrës shëndetësore në Djibouti.

Çdo vit mijëra afrikanë tentojnë të kalojnë detin drejt Jemenit, me qëllim që të mbërrijnë në një prej vendeve të pasura të gadishullit arabik, atje ku shpresojnë të gjejnë punë dhe një jetë më të mirë. Njëlloj dhe çdo vit, mijëra të tjerë tentojnë të kalojnë Egjeun me shpresën për të mbërritur në Evropë.