Sidrit Bejleri sjell këngën e re, himn për kuq e blutë e Shkodrës!
“Emri jot asht histori
E kena thirrë na qysh fëmijë
Do ta thrrasim prapë të tanë
Sa të ketë Shkodër e shkodranë”
Këto janë disa nga vargjet e këngës më të re të Sidrit Bejlerit. Ndryshe nga tingujt e këngëve të lehta, kësaj here Bejleri ka sjellë tinguj energjikë dhe krejt të veçantë për fanellën kuq e blu.
“Ka qenë një ëndërr e kahershme që në kohërat e mia te rrokut, por që erdhi koha të realizohej tani. Ishte sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi që më tha: “A nuk mendon se ka ardhur koha për një këngë të re për Vllazninë?” E në fakt duhej pasi ekipi më në fund po rikthente lavdinë e dikurshme. Duhej vetem pak ngacmim që motivi dhe teksti të buronin sepse “Vllaznia është dashni pa kushte”-na thotë Sidrit Bejleri.
Kënga e re është afër një himni të ri për klubin shkodran dhe me gjasë do të jetë kënga që tifozët e lojtarët do të këndojnë për fanellën e tyre të dashur. Sidriti na thotë se koha do ta tregojë nëse kënga kthehet në himnin e Vllaznisë.
“Jemi munduar bashkë me mjeshtrin Saraçi t’i mveshim kësaj kënge fuqinë, burrërinë, epizmin, luftaraken, krenarinë, mjeshtërinë, pasionin, dashninë dhe gjithçka çfarë “Vllaznia” simbolizon për qytetin tonë të lindjes. E mbi të gjitha kënga ka në brumin e saj atë që na bashkon, dashninë për Shkodrën. Nesë do kthehet në himnin e ri, do na e tregoje koha…“-thotë Sidrit Bejleri.
Kënga vjen me regji nga Eduart Grishaj dhe me mbështetjen e sponsorit të Vllaznisë Alban Xhaferi. Produksioni muzikor i këngës ‘Vllazni’ u realizua nën kujdesin e mjeshtrit Shpëtim Saraçi.
Pavarësisht paraqitjeve jo të mira në ndeshjet e fundit të Vllaznisë, Sidrit Bejleri ka zgjedhur pikërisht këtë kohë për të publikuar këngën, pasi siç shkruan edhe ai vetë në rrjetin social, “Vllaznia asht dashni pa kushte”
Përshëndetje të gjithëve! Dikush mund të thotë, sot e gjete të na flasësh për “Vllazninë”?! Pasi humbi dhe me “Teutën”,…
Posted by Sidrit Bejleri on Thursday, 4 March 2021
Teksti dhe muzika, e shkruar nga vetë këngëtari Sidrit Bejleri:
“V L L A Z N I”
Porsi gurë të Rozafës së lashtë
Ti Vllazni me vllazën bashkë
Gjyshat tonë e baballarët
Brez mbas brezit ty të kanë dashtë
Ti je djepi, je futbolli
Na ndez zemrën, krahanorin
E tanë botën të na falin
Për Vllazninë kangën s’e ndalim
Vllazni, Vllazni
Je dashnija jonë
Ne me ty, ne me ty
Kuq e blu gjithmonë
Emri jot asht histori
E kena thirrë na qysh fëmijë
Do ta thrrasim prapë të tanë
Sa të ketë Shkodër e shkodranë
Ti je kuq si zemrat tona
Edhe blu si qiell’ i Zotit
E me ty do të jemi gjithmonë
Si kur humb e kur fiton