Dëborë në mars, Korça ‘vishet’ sërish me të bardha
Pas reshjeve të dendura të dëborës në verilindje të Shqipërisë, dëbora ka ardhur sërish në qytetin e Korçës dhe zonat përreth.
Në zonat urbane syri kap vetëm të bardhën e dëborës, ndërsa në zonat më malorë në juglindje të vendit trashësia e borës ka mbërritur deri në 10 centimetra.
Në zonën e Dardhës reshjet kanë qenë më intensive dhe aksi rrugor drejt fshatit turistik është i kalueshëm vetëm përmes zinxhirëve.
Si pasojë e dëborës dhe ngricave të formuara gjatë natës e ditën e sotme ka patur një sërë incidentesh, ndaj autoritetet kanë sugjeruar shtim të kujdesit në timon.
Sipas meteorologëve, temperaturat do të ulen ndjeshëm këtë të enjte, veçanërisht në orët e darkës.
Vlerat do të zbresin në -5 gradë celcius në zonat malore dhe deri 2 gradë në ultësirën perëndimore. Era do të fryjë mesatare në territor, por deri e fortë në bregdet ku shpejtësia e erës arrin rreth 60km/h nga drejtimi verior duke ruajtur lartësinë e dallgëve 5 ballë.