“Nuk ka më zi, më ka dalë shpirti” Lotët e një nëne që humbi tre fëmijë

 “Nuk ka më zi, më ka dalë shpirti” Lotët e një nëne që humbi tre fëmijë

Veshur me të zeza prej thuajse 3 dekadash. Jeta e saj është e mbështjellë në vuajtje. Shpesh herë del në pragun e derës. Gënjen mendjen me kujtimet për fëmijët e humbur. Tre djem i humbi. I fundit vetëm pak muaj më parë. Zemrën e ka të çarë. E si mund t’i pushojnë lotët?!

“Quhem Hajrie Peshku, 65 vjeç. Jetoj në Thanasaj, në rrethin e Lushnjes. Vuajtjet e mia nuk kanë patur të sosur asnjëherë. Më dy gusht të ’92 djali i madh mori rrugën e kurbetit… edhe sot e kësaj dite nuk dihet ku është. Ka 29 vjet që nuk e shoh, nuk i thërras emrin. E kemi kërkuar deri tani, në çdo emision e kemi kërkuar. Akoma rri e them ishalla, mos është gjallë, mos është birësuar,…

Si nënë me të dal shpirti. Nuk ka më keq, që të mos thërrasësh dot djalin, ai ishte i pari i fëmijëve.”-thotë gruaja.

Zëri i saj dridhet sërish, kur tregon për emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ momentin kur hyri në shtëpi dhe gjeti të vdekur djalin tjetër… në atë kohë veçse tre vjeç.

“Kam patur dhe një djalë tjetër, 3 vjeç. Ai i shkreti shkoi tek lumi dhe u mbyt. Shyqyr që u gjet asaj nate. E keni sjellë në shtëpi dhe e gjeta të gjithë lagjen në shtëpi. Nuk kish më vështirë që ta lije fëmijën duke ngrënë bukë, e kur erdha në shtëpi e gjeta të vdekur.”-tregoi Hajria.

Dhe goditja e fundit erdhi pak muaj më parë. I iku djali tjetër, duke  lënë pas tre fëmijë dhe gruan të ve.

“Djali më iku simjet. Iu shpif një sëmundje e keqe dhe për tre muaj e mori. I bënë analizat por prapa nuk pati derman. Për të nuk u gjet asgjë në spital, ai ndërroi jetë në shtëpi. Si mos më zi për mua, nuk ka nënë që nuk i dhimbset fëmija.

Dal aty tek pragu derës, e kthehem pas, se e di që ai nuk është më… shkoj tek varrezat, po ça të shohësh aty, a ka marrë dhe…?

Kam gjallë tre goca dhe një djalë. Më vështirë nuk ka si bëhet jeta ime. Akoma më dridhet trupi”-e mbyll rrëfimin e saj e moshuara.

Kjo është veçse një copëz e historisë së familjes Peshku, e cila jeton në kushte tejet të vështira, me mungesë ushqimi për jetimët dhe në një banesë gjysëm të shkatërruar.