“Një prej djemve që më vdiq, la pas tre jetimë” Fatkeqësitë që ia trazojnë shpirtin këtij gjyshi

 “Një prej djemve që më vdiq, la pas tre jetimë” Fatkeqësitë që ia trazojnë shpirtin këtij gjyshi

Ky burrë ka humbur tre djem. 4 muaj më parë nga kjo botë iu largua djali i tretë, Shefqeti.

Sytë i ka të perënduar prej fatkeqësive që e kanë gjetur derën e tij. Gjysh Islami është në pension. Është i fortë dhe mundohet me gjithçka që të qëndrojë i tillë. Djali i ndjerë la pas 3 fëmijë jetimë.

 “Djali i tretë që më ka vdekur ka lënë tre djem. Djali i parë është 19 vjeç dhe del për punë. Mundohet të gjejë ndonjë punë, por janë dy nipërit e vegjël…”-thotë gjysh Islami.

Islami dhe e shoqja Hajria, mundohen me mish e me shpirt për të rritur nipat. Por vështirësitë janë të jashtëzakonshme. Jetojnë në një fshat në Lushnje dhe mundësitë janë krejt të vogla.

Çdo njeri në moshë kërkon t’i lërë në qetësi kockat e lodhura të trupit, por për gjysh Islamin e nënë Hajrien nuk duket se do të ketë çlodhje.

Gjysh Islami thotë për emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët’, se nuk ka fjalë për të përshkruar se çfarë i ka hequr shpirti. Si e kanë mbajtur këmbët kur i ikën djemtë? Si nuk i plasi zemra kur djali, 4 muaj më parë, la pas tre nipërit?

“Dhimbjet që kam përjetuar kanë qenë kaq të vështira, saqë nuk mund ta shpreh. Më kanë rënë njëra pas tjetrës dhe i kam përballuar me forcat e mia. Me sakrifica, me mundime… por tani është vështirë. Ne jemi pensionistë unë e ime shoqe. Ne i mbajmë me ushqim fëmijët, por është vështirë. Unë vetë si pensionist nuk kam mundësi t’i përballoj të gjitha, me shtëpinë e me fëmijët.”thotë Islami.