Fotot, një homazh nga Durrësi për nënat, gratë dhe vajzat që ndërruan jetë prej dhunës

 Fotot, një homazh nga Durrësi për nënat, gratë dhe vajzat që ndërruan jetë prej dhunës

Sot në shkallët e galerisë “Nikolet Vasia” në Durrës, Dita Ndërkombëtare e Gruas ka ardhur krejt ndryshe.

Dhjetëra palë këpucë të kuqe janë ‘shtrirë’ të heshtura në shkallare, si një tribut ndaj nënave, motrave, vajzave e grave që humbën jetën si pasojë e dhunës e krimit në familje.

Iniciativa është marrë nga Teatri ‘Aleksandër Moisiu’ në qytetin bregdetar.

 “Çdo këpucë e kuqe vjen si simbol i humbjes së jetës së një gruaje nga dhuna, simbolizon gjakun e atyre grave e vajzave  dhe është homazh për to.”- u shpreh për median regjisorja Driada Dervishi.

“Për njerëzit që kanë sjellë këpucët jo vetëm nga Durrësi, primare është ngritja e zërit. I bëj thirrje të gjitha nënave, grave e vajzave që ta ngrenë zërin e tyre.”-tha aktorja Adelina Muça.

Këpucët e kuqe simbolizojnë protestën dhe humbjen e jetëve të shumë grave për shkak të dhunës së burrave. Ato u bënë simbol i mirënjohur në botë, kur në vitin 2009 (në Meksikë) artistja Elina Chauvet i solli ato si formë proteste për tragjedinë që ndodhi me të motrën, e cila u vra nga i shoqi.