“I lutem shqiptarëve, më ndihmoni” Një ëndërr e bukur e ‘burgosur’ në një shtëpi qerpiqi

 “I lutem shqiptarëve, më ndihmoni” Një ëndërr e bukur e ‘burgosur’ në një shtëpi qerpiqi

Këtu jemi në Krutje të Sipërme, një fshat i Lushnjes. Ashtu si shumë fshatra në Shqipëri, nuk është e vështirë që varfërinë ta gjesh me ‘bollëk’. Njëlloj ndodh në këtë shtëpi, ku era dhe shirat janë të mirpritur sa herë i ‘thërret’ qielli.

Dhe në fakt është e dukshme për syrin, se në këtë shtëpi është vështirë të jetosh kur bie shi apo bën ftohtë. Banesa është e vjetër, por brenda saj ka ende një ëndërr.

Dhe ëndrrat i ka kjo vogëlushe. Quhet Brikena dhe është 11 vjeçe. Brikena jeton me nënën e saj Marian, historia e të cilës me të vërtetë është e dhimbshme.

11 vjeçarja e ndjek me dëshirë e vullnet shkollën. Për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” tregon se është një ndër nxënëset më të mira… pavarësisht vështirësive që përjeton çdo ditë. E një ndër to, është një mungesë e madhe që ndjen në zemër kjo vajzë… ajo është jetime.

“Në shkollë kam nota shumë të mira, por më mungon shtëpita. Këtu ku jemi ska asnjë kusht. Babi, më mungon shumë. Shumë e mërzitur jam, sepse jeta është e vështirë. Kur bie shi, këtu uji bie komplet brenda.”-thotë 11 vjeçarja.

Dëshira më e madhe e Brikenës është që të jetojë në një shtëpi. Nuk kërkon gjëra të mëdhaja, por një strehë të vërtetë mbi kokë dhe jo këtë grumbull të vjetër kallamishtesh e qerpiqi. Ajo ka ëndërr të bëhet mësuese, por shpesh herë e çon ndërmend, sesa e vështirë është të kesh një ëndërr të bukur, kur mbi kokë nuk ke një strehë.

“Kam shumë dëshira, por më e madhja është të kem një shtëpi. Ëndrra ime është që të bëhem mësuese. Jam 11 vjeçe e jeta ime është shumë e vështirë. Unë i bëj thirrje shqiptarëve që mesa kanë mundësi, të më ndihmojnë. I lutem dhe xhaxhi Elvisit, që të më ndihmojë.”-tregon e mitura.