“I vetmi vend ku luan Deani është spitali…. për ne, ai është gjithçka kemi”

 “I vetmi vend ku luan Deani është spitali…. për ne, ai është gjithçka kemi”

Të dy janë ende fëmijë dhe në mendjet e tyre flë një frikë e madhe… po sikur nesër, vëllai i tyre 9 vjeç të mos jetë më? Po sikur Deani të largohet?

Me zërin që i dridhet e lotët që nuk pushojnë vëllai e motra e Deanit, luten që ajo ditë të mos vijë kurrë. Ana, motra e 9 vjeçarit, nuk resht dot së lotuari për të vëllanë. Thotë se ai është gjithçka për atë dhe se e ka në mendje çdo moment.

Motra: Deani është për mua gjithë bota. Më mungon shumë. Se di a mund ta kalojë apo jo, shumë frikë kam. Dua që të gjithë ta ndihmojnë me aq sa kanë dhe ta dërgojmë jashtë shtetit që ta shpëtojmë. Nuk e mendoj dot, nuk jetoj dot pa të, e dua shumë… është gjithçka që kam.

Vëllai: Kërkon që të vijë në shtëpi, por s’mundet. Ato herë që vjen këtu, pëson kriza dhe duhet të shkojë sërish në spital. Shkojmë atje për të luajtur, se i vetmi vend ku luan Deani është spitali… po ai mund të vdesë. Nuk dua që ta humb, është gjithçka për mua.

Ju lutem na ndihmoni, ju jeni shpresa jonë e vetme.