Mbi 5 mijë infektime në një javë, çfarë po ndodh me Covid në Kosovë

 Mbi 5 mijë infektime në një javë, çfarë po ndodh me Covid në Kosovë

Java e fundit e gushtit ka shënuar një rritje galopante të rasteve të infektimeve në Kosovë, përfshi këtu dhe jetët e humbura.

Vetëm përgjatë javës së kaluar, ka patur më shumë se 5 mijë raste të reja me Covid e një numër alarmant të humbjeve në jetë. Ditën e djeshme u shënuan 36 viktima, numri më i lartë i jetëve të humbura, regjistruar në vend.

Ndërsa në 24 orët e fundit (sot) u raportuan 20 jetë të humbura dhe 932 raste të infektimeve të reja. Shumica dërrmuese e infektimeve i përket moshave të reja (shiko tabelën më poshtë)

Gjendja në spitale

Në spitalet e Kosovës gjendja po ashtu paraqitet serioze. Janë deri më tani të hospitalizuar 1284 pacientë me Covid. Shumica ndodhen të shtrirë me oksigjeno-terapi ndërsa 60 të tjerë ndodhen në kujdes intensiv.

Zëvendësdrejtori i Klinikës Infektive, Veli Rexha tregoi për median në Kosovë se prej 1 jave, situata është rënduar.

“Klinika Infektive është shndërruar në klinikë COVID dhe vetëm pacientët që janë me COVID trajtohen në klinikë, asnjë pacientë tjetër nuk kontrollohet. Sot në mëngjes i kemi pas 120 pacientë. Kapacitetin e kemi të plotë, për momentin nuk kemi vende të lira në Klinikën Infektive, po i dërgojmë pacientët në Mjekësinë Sportive dhe në Interno. Gjendja e pacientëve është e rëndë, shumica janë me oksigjeno-terapi”, tha ai.

Masa të rrepta kufizuese

Tashmë kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese, të cilat do të qëndrojnë deri më 13 shtator. Është risjellë ora policore ndërsa lëvizja e lirë ndalon në harkun kohor 22:00 deri në ora 05:00 e mëngjesit. Qeveria ka vendosur të kufizojë apo reduktojë thuajse të aktivitetet publike (klubet e natës, ahengjet, dasmat, etj).

Përdorimi i maskave u bë i detyrueshëm në të gjitha ambientet e mbyllura apo në rrugë. Shkolla po ashtu u shty për në mesin e muajit shtator. Po ashtu masa u vendosën në pikat kufitare.

Apeli i mjekëve për t’u vaksinuar

Mjekët në Kosovë si dhe autoritetet kanë apeluar qytetarët për t’u vaksinuar ndaj Covid. Në një postim në rrjetin social, Ministria e Shëndetësisë ka përcjellë edhe disa pamje, sesi duken mushkëritë e një të sëmuri (me Covid) të vaksinuar dhe një tjetri të pavaksinuar.

Po Shqipëria?

Këtë të hënë Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë kryer 4532 testime, prej të cilave kanë rezultuar Covid pozitiv, 486 persona. Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën tre qytetarë. Shumica e rasteve të reja me Covid janë në Tiranë, për t’u pasuar me Vlorën e Durrësin.

“Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim 97 pacientë, nga të cilët 17 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me Covid19 tre qytetare: një qytetare 63 vjeç nga Elbasani, një qytetare 80 vjeç nga Berati dhe një qyetetare 92 vjeç nga Vlora. “-njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Kujtojmë se po këtë të hënë, u njoftuan masat e reja kufizuese, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 shtator e 6 shtator. Për më tepër informacion, lexoni në artikullin e mëposhtëm