“Motër, unë jam sprovuar…” Sidriti mbushet në lot kur shikon Lean e vogël të niset drejt Italisë

 “Motër, unë jam sprovuar…” Sidriti mbushet në lot kur shikon Lean e vogël të niset drejt Italisë

Këto janë momentet e fundit përpara se Lea të nisej për kurim në Itali. Elvisi e Sidriti mundën të përshkruajnë hapat e fundit të përcjelljes së vogëlushes në avionin sanitar. Prezent me ta ishte Xhenisa, e cila do të qëndrojë në krah të të bijës.

Pak para nisjes, Sidriti i afrohet Xhenisës. Mundohet t’i flasë, por lotët janë të parët…

“Motër…. ma bën hallal (përlotet). Unë jam sprovuar… inshallah do Zoti ti e ke jetëgjatë… (qan). As unë e as ky vëllai im (Elvisi) s’mundëm të bëjmë gjë për… (vajzën e tij të ndjerë)

Bëhu e fortë të lutem. 13 vjet pasi kaloi ajo e imja, për ty po e realizojmë. Inshallah e ke jetëgjatë vajzën, inshallah dashtë Zoti.”-i thotë Sidriti Xhenisës.

Vjen momenti për t’u ndarë. Lea dërgohet nga autoambulanca drejt avionit sanitar. Edhe në këtë çast, Sidriti përlotet sërish…

“Shumë faleminderit… Zoti ua shpërbleftë”-i thotë Xhenisa Elvisit e Sidrit, teksa i përqafon.

“Zoti ju ruajtë, presim lajme të mira”-i thotë Sidriti.

Dera e avionit mbyllet. Elvisi e Sidriti largohen disa metra më tutje. Tashmë mbeten vetëm lutjet për Lean, me shpresën se shumë shpejt do të dëgjojmë lajme të mira.

“Emocionet janë të pafundme vëllezër e motra… Lea u nis, inshallah bëni lutje që të shërohet.”-thotë Elvisi.

“Më duket sikur kam nisur një pjesë timen… Zoti e shëroftë”-thotë Sidriti.

Elvisi e Sidriti shkojnë më pas për të takuar familjarët e Leas. Elvisi i tregon babait të vogëlushes se janë prekur tej mase.

“Shumë jemi prekur aty, për Zotin… sikur të çonim fëmijën tonë”-rrëfeu Elvisi.

Elvisi e Sidriti nisen drejt Tiranës, ndërsa rrugës për në shtëpi as Elvisi s’mundi t’i mbajë më dot lotët…