“Në varfëri jetojmë, mami ka qenë sëmurë… kur rritesh pa babë, duhet t’i mësosh vetë të gjitha ”

 “Në varfëri jetojmë, mami ka qenë sëmurë… kur rritesh pa babë, duhet t’i mësosh vetë të gjitha ”

I vetmi kujtim që Fatmiri ka për të atin është kjo foto bardh e zi. E mban afër. Është i vetmi imazh që pasqyron mallin, mungesën më të madhe në jetën e tij.

Fatmiri jeton në një fshat të largët, të quajtur Gurrazezë (rrethi i Skraparit). Pakgjë ka në këtë vend të harruar. Duhet afro 2 orë që të mund të arrish atje.

Fatmiri është 14 vjeç dhe shkollën nuk e ka braktisur. Ikën në këmbë për afro 2 orë. Kalon në mes të pyjeve. Për të marrë ushqim, Fatmiri do duhet të shkojë në Gramsh, një rrugë që shkon mëse 4 orë vajtje- ardhje.

Por përtej lodhjes për të shkuar në shkollë apo për të blerë ushqime, është varfëria ajo që ka pllakosur jetën e tij. Kohët e fundit edhe nëna e Fatmirit është sëmurë. Ditët bëhen gri e më gri, njëlloj si shpresat që ka Fatmiri për të ardhmen e vet. Ky është rrëfimi që ai dha për “Shqiptarët për Shqiptarët”.

“Unë quhem Fatmir Mezini, jemi në rrethin e Skraparit, por për shkak se e kemi larg, detyrohemi të shkojmë në Gramsh. Dy orë duhen të shkosh, dy të vish. Në fshat nuk ka linja autobuzës apo furgonësh. Këtu vijnë vetëm fuoristradat. Shkollën e bëj larg dhe do afërsisht dy orë vajtje- ardhje. E vështirë është. Kaloj në pyll. Në dimër ka shi e borë, mezi shkoj.

Keq jemi, sepse jemi shumë të varfër. Në darkë shpesh nuk hamë bukë. Me vuajtje kemi jetuar, vetëm me një ndihmë ekonomike.

Tavani na ka rënë. Televizor? Jo nuk kemi patur ndonjëherë. As televizor, as lavatriçe, asgjë.. mamaja i lan rrobat me dorë. Ajo është sëmurë me shëndet, ndërsa unë duhet të përgjigjem për të gjitha gjërat.

Duhet të bësh dru, të punosh me kazëm, punët e fshatit domethënë, por zgjidhje tjetër nuk kemi. Këtu jeta është e vështirë, sidomos të rritesh pa baba. Duhet t’i përjetosh gjërat më shpejt, t’i mësosh të gjitha, po sikur ta kisha atë pranë… (qan).

Shumë vështirë kemi kaluar, me dhimbje. Mungesën e babait e ndjej shumë. Dhe kur i thonë miqtë baballarëve të tyre, mua më tingëllon çuditshëm, unë se kam patur ndonjëherë. Nuk e di por është shumë e vështirë… me fjalë duket e lehtë, por kur e përjeton është shumë e dhimbshme.

Unë do ju lutesha shqiptarëve, kudo janë, që të më ndihmojnë, të ndihmojnë një jetim.”-rrëfeu mes lotëve 14 vjeçari.