Momente gëzimi për 14 vjeçarin e rritur jetim! Fatmiri me të ëmën bëhen me një shtëpi të re

 Momente gëzimi për 14 vjeçarin e rritur jetim! Fatmiri me të ëmën bëhen me një shtëpi të re

“Shqiptarët për Shqiptarët” s’mund ta linin këtë djalë në mëshirë të fatit. Pas rrëfimit të tij emocionues, Fatmirin me të ëmën e marrim për ta sjellë në Gramsh. I pret një surprizë e madhe.

Në qytet i pret me përqafime Sidriti e Meri Bejleri. Së bashku nisen drejt një shtëpie private, ndërsa nëna e Fatmirit, i drejtohet me një pyetje Merit… ‘shtëpia juaj është kjo?”

Meri buzëqesh dhe në hyrje të shtëpisë i jep çelësin.

Meri: Nënë, merre këtë çelës, hape derën…ky çelës është i juaji, e gëzofshi, është shtëpia juaj.

Fatmiri me të ëmën, ende nuk e besojnë se kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re.

Sidriti: 2 muajsh ka qenë Fatmiri në barkun tënd, kur i ka ndërruar jetë babai. Ke qenë babë e nënë për Fatmirin e atje ku ke jetuar, jeta ka qenë e vështirë. Ndaj ju dhamë  prioritet juve. Ke patur një foto bardh e zi të babës. Jeta jote po ashtu shumë ngjyra nuk ka patur. Ndoshtat do tët mungojnë miqtë, por jeta ecën përpara. Njeriu mundohet të pikturojë me shumë ngjyra jetën dhe njëlloj si ajo foto, që nuk kishte pse të mbeste pa ngjyra, do doja të jepja këtë kujtim.

Fatmiri mbushet në lot kur sheh foton e të atit me ngjyra. Mbase ngjyrat në këtë portret të dashur, do të shërbejnë si një forcë a shpresë që Fatmiri të mund të ecë përpara e të ndryshojë jetën e tij për më mirë.

Fatmiri: Shumë faleminderit.

Sidriti: Dashtë Zoti edhe jeta juaj do të marrë më shumë ngjyra. Besoj që yt atë, atje ku ai është, gëzon për ju. Tashmë je djali i shtëpisë, prej teje pret mami.

Fatmiri: Ju falenderoj, shqiptarët, juve… tani që na ndihmuat, ende më duket e pabesueshme, nuk e di.

Sidriti: Ëndrrat mos i humb kurrë. Njeriu po nuk pati ëndrra, merr fund. Njeriu jeton për t’i plotësuar ato, kështuqë mundohu t’i realizosh. Kjo shtëpi mund të jetë e vogël, por unë shpresoj që kur të rritesh, ti do bësh gjëra të mëdhaja.

Ndiqeni në këtë klip momentet e gëzimit. Falë bamirësisë, një fëmijë jetim me nënën e tij u lumturuan.