Përplasje mes fqinjëve për një vend parkimi, 45 vjeçari plagos nënë e bir

 Përplasje mes fqinjëve për një vend parkimi, 45 vjeçari plagos nënë e bir

A të shkon ‘gjaku në kokë’ për një vend parkimi, aq më tepër kur ndaj fqinjit tënd përdor dhe armën?

 Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit, ku nënë e bir kanë mbetur të plagosur në këmbë nga fqinji i tyre. Shkak i zënkës ka qenë një vend parkimi. Autori, një 45 vjeçar, është përplasur me të riun 23 vjeç për vendin e parkimit, sapo kishte kaluar ora policore. Palët po nxitonin të parkonin automjetet pranë banesës dhe janë përfshirë në konflikt. Pas përdorimit të forcës, 45 vjeçari ka qëlluar me armë të riun si dhe të ëmën e këtij të fundit, që ndodhej aty.

Nënë e bir janë transportuar në spital ku janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia ka shoqëruar 45 vjeçarin.

Nuk është hera e parë që në Shqipëri raportohen raste të tilla, ku për një debat për motive vulgare, humbin jetë njerëzish.

Njoftimi i policisë

Më datë 23.02.2021, rreth orës 20:10, në lagjen nr.12, Durrës, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta,  shtetasi Z.J., rreth 45 vjeç, ka plagosur  me armë zjarri në këmbë shtetasin F. Ç., rreth 23 vjeç.

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë dhe  shtetësja V. Ç., rreth 45 vjeçe, ( e ëma e shtetasit F. Ç.,),  e cila ndodhej në momentin e konfliktit dhe është dërguar në spital nga shërbimet e Policisë dhe ndodhet bashkë me djalin  nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

 Autori i dyshuar shtetasi Z. J., është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë Durrës për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.