30 shtëpi do të ndërtohen në Pezë, si do të duket projekti për shqiptarët e prekur nga tërmeti

 30 shtëpi do të ndërtohen në Pezë, si do të duket projekti për shqiptarët e prekur nga tërmeti

Pas vënies në vend të amanetit për 155 shtëpi në Thumanë, të tjera projekte në ndihmë të shqiptarëve të prekur nga tërmeti, presin të bëhen realitet.

Njëra prej tyre është një lagje e re në Pezë. Projekti atje ka në plan ndërtimin e 30 shtëpive, banesa të cilat do të mobilohen.

Puna ka nisur tashmë në Pezë dhe brenda këtij viti, lagja e re në Pezë do të përfundojë. Por si do të duken banesat në Pezë, e përcjellin më mirë këto pamje.

Në emisionin e të shtunës, Elvis Naçi e Sidrit Bejleri, dhanë disa detaje për projektin në Pezë e jo vetëm. Të tjera projekte presin të përfundohen këtë vit, përkatësisht në Lezhë e në Lushnje.

Sidriti: Flasin pamjet, janë shtëpi që nuk janë as në Gjermani, as në Angli as në Francë, por këtu pranë Tiranës, në Pezë. Është një zonë shumë e bukur, jam mrekulluar nga bukuritë natyrore. Aty është një kodër e bukur që duket sikur e mbron atë vend. Aty do të bëhen 30 shtëpi, të gjitha standard i mirë dhe unë për vete jam krenar.

Elvisi: Është lagja e dytë, pas Thumanës, e cila ishte më e madhja e më kryesorja. Por tani, i madhi Zot i ndan punët. Si Thumana edhe Peza është në një vend shumë të bukur. Bashkia e Tiranës na e mundësoi tokën e infrastrukturën për të prekurit nga tërmeti atje. Ajo do të dalë një diçka krejt e bukur. Shtëpitë do të jenë cilësore e të mira, ne mesin e gjelbërimit. Ne shpresojmë që ne do të kemi udhëtuar në botën tjetër, e ato shtëpi të gëzohen nga fëmijët e fëmijëve të shqiptarëve, e të mirat të na vijnë atje ku do të na shkojë shpirti.

Jo shumë larg, punë e pak muajve, shpresoj punimet do të përfundojnë. Edhe në Lezhë, do të ndërtohet një pallat për të prekurit nga tërmeti. Kuptohet, janë ndërtime që do të bëhen më shpejt, sepse nuk janë si Thumana që kërkoi një kohë më të gjatë. Shpresojmë të gëzojmë njerëzit e prekur nga tërmeti. Në Lezhë, pallati është pranë qendrës së qytetit, është një projekt që do të mund të fillojë brenda pak ditësh e do të mbarojë shumë shpejt.

Ndiqeni këtu bisedën e bërë në studion e “Shqiptarët për Shqiptarët”