“Sa nuk fluturova! Isha bërë me dy vajza… gëzimi u kthye kur mjekja më tha se njëra nuk do ja dalë”

 “Sa nuk fluturova! Isha bërë me dy vajza… gëzimi u kthye kur mjekja më tha se njëra nuk do ja dalë”

11 vite më parë Arzie Abdurrahmani, një shqiptare e Shkupit, solli në jetë dy vajza binjake, por fati e deshi që njëra prej tyre të përballej me një sprovë të rëndë që i burgosi jetën.

Tortura e Adisës qëndron në trupin e saj. Vitet kalojnë dhe asaj i vështirësohet frumëmarrja, dhimbjet, vështirësitë. 11 vjeçarja vuan nga skolioza. Sëmundja ia ka përthyer trupin dhe ia ka marrë fëmijërinë nga kujtimet, ia ka rrëmbyer nga duart.

Adisa: Nuk mund të rri dot… Shpina më dhemb. Nuk mund të eci, kam dhimbje në trup e mërzitem shumë. Unë dua të shërohem, të shkoj në shkollë me motrën e vëllain. Dua të luaj me shokët e me shoqet e mia.

Babai i 11 vjeçares, Avniu, kujton momentet kur po nisej drejt spitalit për të parë dy vajzat e tij binjake. Po ‘fluturonte’ nga gëzimi, derisa një prej mjekëve i tregoi se njëra prej vajzave ishte e sëmurë.

Avniu: Kur mora vesh veçse skam fluturuar, që ishin vajza binjake. Kur shkova në spital, mjekja më tha më vjen keq, por Adisa nuk mbijeton dot. Gëzimi u kthye. Kur shkova në spital kisha një gëzim të madh, mirëpo kur mora vesh se vajza… (qan)

Problemet kanë nisur që kur ka lindur në 2009. Për 6 muaj nuk ka ardhur në shtëpi hiç.  Jam i papunë së bashku me time shoqe. Jetojmë me asistencë dhe me ndihmën e të tjerëve. Nuk punoj dot për shkak të Adisës.

Në banesën e tyre në fshatin Luboten të Shkupit, qëndron me kokën ulur nëna e Adisës. Arzia duket e dorëzuar. Fillikat në dhimbjen e saj si nënë, Arzia e shoqëron veten me lotë. Lotët e mbushin dhomën. Dhimbja është e madhe jo vetëm sepse e bija s’ka parë një ditë pa vuajtje, por sepse ajo e ka të pamundur që t’ja heqë nga trupi barrën së bijës.

Familja Abdurrahmani kërkoi ndihmën e emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”. Dhimbjes së kësaj familje, i pari iu përgjigj Qazim Rasha, babai i të ndjerit Klodian Rasha, i cili humbi jetën në dhjetor. Paratë që ishin dhënë për të birin, ky zotëri i dorëzoi për shërimin e Adisës.

Emisioni së bashku me shqiptarët zemërmirë, arritën të mbledhin fondet e nevojshme për ndërhyrjen për t’i shpëtuar jetën 11 vjeçares. Koha erdhi që Adisa të nisej drejt spitalit, ndërsa këta dy prindër derdhnin lot kur iu desh të ndajnë Adisën nga motra e saj binjake.