A ju kujtohet Deani? Si është sot vogëlushi që preku zemrat e shqiptarëve

 A ju kujtohet Deani? Si është sot vogëlushi që preku zemrat e shqiptarëve

Në kohën kur nëna e tij iu drejtua për ndihmë emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”, Deani ishte 9 vjeçar dhe kishte kryer plot 20 operime. Gjendja e tij shëndetësore ishte tepër e rënduar. 9 vjeçari më shumë kishte parë dyert e spitalit sesa shtëpinë e shkollën. Veshkat e tij nuk punonin, e kurimi i specializuar në Itali ishte i domosdoshëm.

Shqiptarët u bënë bashkë. Derdhën lot për këtë vogëlush dhe dhanë shumëçka nga vetja, me shpresën se jeta e tij do të shpëtohej. Kur Deani u nis drejt Italisë me një avion sanitar, lajmin e përcolli Elvisi, ndërsa në atë postim (në rrjetin social), u bënë jo pak, por mbi 43 mijë lutje për shërimin e këtij vogëlushi.

Muajt kaluan dhe emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” shkoi në Romë për të parë Deanin e fëmijët e tjerë të ndihmuar nga shqiptarët. Nëna e Deanit, Eva, na tregoi se çfarë ndodhi kur ajo erdhi në Itali.

Eva: Siç e mbani mend, Deani ishte në gjendje kritike për jetën. 9 vite ka vuajtur ky djalë, por për fat të mirë, u lidhëm me “Shqiptarët për Shqiptarët”, me Elvis Naçin. Në Shqipëri ishte e pamundur që Deani të shërohej, shyqyr Zotit u lidhëm me fondacionin tuaj. U bë një mrekulli për Deanin. Këtu në Itali u bënë të gjitha analizat. Qëndruam për tre muaj pa dalë nga spitali, pasi gjendja e tij ishte e rënduar. Djali u stabilizua. Ka bërë dy ndërhyrje, e pastaj filluam rregullisht me dializën deri në gusht. Mjekët ishin shumë të mirë, është bërë një mrekulli e vërtetë në këtë spital. Pas dializës, u bë transplanti. Shyqyr Zotit shkoi për mrekulli. Tani gjërat po ecin shumë mirë, e kaloi të keqen, e jemi shumë të lumtur.

Qëndrojmë tani në një rezidencë e jemi akomoduar shumë mirë. Falenderoj Elvisin, pa të s’do bënim dot gjë, se po bëjmë një vit këtu e na i kanë mbuluar shpenzimet. Deani ka nevojë për ushqim të veçantë, e unë e falenderoj Elvis Naçin e ju që na e keni mundësuar. Unë ju uroj të mirat, ju uroj që të shëroni sa më shumë fëmijë, të gëzoni sa më shumë nëna.

Në Romë ndodhej dhe Sidrit Bejleri, i cili pati mundësinë për të takuar Deanin. Sot fatmirësisht Deani është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është rritur.

Shikoni këtu momentet e takimit