“Amanet fëmijët, mos mi lësh rrugëve” Fjalët e fundit të një minatori, që e çoi jetën mes vuajtjeve

 “Amanet fëmijët, mos mi lësh rrugëve” Fjalët e fundit të një minatori, që e çoi  jetën mes vuajtjeve

“Amanet fëmijët, të mos mi lësh rrugëve”

Këto janë fjalët e fundit të një burri që e çoi jetën duke punuar në minierë. U rropat për dy vajzat e për djalin e vogël. U vra, rrëzua e copëtua, vetëm që t’i sillte fëmijëve ushqim në tryezë. Tre aksidente pësoi në minierë. Në dy prej tyre u transportua nga Bulqiza drejt Tiranës me helikopter.

E kjo është historia e familjes që la pas Arben Skuka. Rrëfimin për jetën e tij e tregoi në “Shqiptarët për Shqiptarët” e shoqja, Burbuqja.

Tashmë ajo ka mbetur vetëm, me tre fëmijët jetimë, dy vajza dhe një djalë i vogël. Burbuqja tregon mes lotësh vuajtjet e të shoqit në minierë dhe tre aksidente që ia dërrmuan trupin minatorit.

“Para një viti, u vra në galeri. Tre herë rresht. Njëherë vrau gishtin e këmbës, e kapi vagoni dhe e pati një plagë shumë të rëndë. Një herë tjetër i zuri shpatullën një gur në minierë e herën e fundit, një vagon e zuri komplet. Mbeti me paterica një vit rresht.”-thotë Burbuqja.

Pavarësisht dëmtimeve serioze në trup, Arbeni nuk kishte ndërmend të qëndronte me duart kryq. Familja e tij jetonte me qira, në kushte të vështira ekonomike. Ashtu me trupin e dëmtuar, ai vendos të shkojë sërish në minierë.

“Në gusht hoqi patericat. Më thoshte vetëm ti punon dhe s’mund ta përballosh vetëm, do të punoj dhe unë. Vazhdoi në minierë prap. Nuk e përballonte dot. Punoi nja 5 ditë, por e pa që nuk e bënte dot më. Frikë kishte, dhimbje po, por thoshte se na duheshin para.”-na tregon Burbuqja.

E në kushtet kur trupi i tij nuk kishte më forcë, Arbeni vendos të nisë punë si kamarier. Por atje, trupin e tij e “përplas” përfundimisht sëmundja. Për fatin e keq, e prek Covid dhe shtrohet në gjendje të rëndë në spital, në Tiranë.

Burbuqja kujton momentet e dhimbshme.

“Kështu vazhdoi kamarier. Atje i ra Covidi. E çova tek “Shefqet Ndroqi”… aq qe, nuk e përballoi dot sëmundjen. Më ka lënë tre jetimë, për mua ishte një tronditje shumë e madhe. Një bashkëshort i shkëlqyer, për mua, për fëmijët. Por jeta e përplasi shumë herë. Edhe para 10 vjetëve pati punuar në Greqi… jeta i ka ardh shumë shumë ters, gjithmonë me përplasje e prap Zoti na e mori 35 vjeç.”-rrëfeu ajo.