“Isha pa duar e këmbë, fjalët e nënës më shtynë të jetoj” Katërfish i sprovuar, rrëfimi prekës i Izetit

 “Isha pa duar e këmbë, fjalët e nënës më shtynë të jetoj” Katërfish i sprovuar, rrëfimi prekës i Izetit

Në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” kemi përcjellë histori të dhimbshme, raste të cilat së bashku me shqiptarë i kemi kthyer në histori gëzimi.

Por historia e këtij burri nga Kukësi, është krejt ndryshe nga të tjerat. 28 vite më parë, ai do të të humbte të dyja këmbët e duart në një aksident fatkeq. Izeti e rrëfeu të gjithë historinë e tij në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”

“Unë faktikisht para 28 vitesh, kam qenë një djalë i ri si të gjithë. Kisha ëndrrat e mia në jetë, kisha një vizion timin që edhe unë të bëhesha diçka, dikushi, të punoja… punoja mësues muzike atë kohë. Nganjëherë fati ndalon diku edhe… mua më ndaloi tek treni.

Aty kanë qenë momentet e mia më të vështira. Duke kaluar me një makinë, pasagjer isha… makina fiket e unë bie mes shinave. Sipër trupit tim kanë kaluar 11 vagona.”-rrëfeu Izeti.

Pas aksidentit Izeti u shtrua në spital. Fatmirësisht ai i mbijetoi aksidentit të tmerrshëm, por me një kosto të madhe. Të dyja këmbët e duart nuk i kishte. Për këmbët ai e dinte se nuk ishin më pjesë e tij, por kur zbuloi se kishte humbur dhe duart, aty mendoi se gjithçka kishte marrë fund. Deshi t’i japë fund jetës, por ishin fjalët e nënës ato që e rikthyen…

“Kjo ishte një sprovë shumë e madhe për mua, por i madhi Zot më dha një forcë të madhe. Dita që më ka ndodh aksidenti, ka qenë dita e parë e Ramazanit, në 1994. Përfundova në spitalin ushtarak. Mendjen e kisha të freskët, isha në vetëdije, deri kur arrita në spital, pastaj…

Nuk dija për duart, a i kam apo jo, kurse këmbët i kisha parë në atë moment aty edhe… pas 8 orësh që kam ndenjur në operacion, kam dalë në reanimacion e aty kam parë që nuk i kam as duart. Në ato momente, është fikur çdo gjë… nuk doja të jetoja më.

Kam hequr serumin, me gojë e hoqa dhe i thash mos mu afroni fare se nuk dua të jetoj më, kaq ishte. Pasi kam heq serumin, në ato momente ka ardh nëna ime nga Kukësi edhe jam përballur me nënën time. Aty… (preket) Aty pastaj për hatrin e saj unë… kam pranuar (të jetoj) edhe… më falni se (përlotet)

Vetëm të të shikoj gjallë më thoshte nëna. I thashë po nënë, unë do të jetoj.

Nëna më tha që të më shikonte të gjallë, se nuk deshte asgjë tjetër në këtë jetë. Po i thashë nënë, do ta pranoj serumin. Nuk ka bërë një muaj, erdhi dita e Bajramit e doktorit i thashë nesër dua të dal. Unë qeshja e doktori më pyeti pse qesh… nuk e di as vetë i thashë, më ka dhënë forcën i madhi Zot.

Unë vazhdova, kam qëndruar në shtëpi 3 muaj e gjysëm. Kam vendosur protezat vetëm për këmbët në atë kohë se për duart nuk kishte. Pas tyre kam dalë, nuk kam ndenjur në shtëpi më. Zoti më dha fuqi të madhe e kam dalë, ndoshta nuk është e besueshme, por kam dalë me karrocë kali, duke punuar transport.

Zoti më ka dhënë dy fëmijë, i kam si yje. Edhe pastaj duke parë, mendoja, çfarë mund të bëj. Njëherë shkova në Slloveni për të vendosur disa proteza e pash shumë gjëra të bukra. Shumëve mund t’ju duket pak, por për ata që kanë nevojë për proteza, është shumë.”-tregoi Izeti.

“Shqiptarët për Shqiptarët” dhe Fondacioni Firdeus e kanë ndihmuar edhe më parë Izetin, duke i mundësuar fonde për të blerë proteza për të tjerë nevojtarë që janë sprovuar ngjashëm si ai. Izeti ka hapur me forcat e tij një klinikë të vogël ku ndihmon të sprovuarit si ai me proteza. Në emisionin e fundit të “Shqiptarët për Shqiptarët”, Elvisi e Sidriti i premtuan Izetit se Fondacioni do të jetë sërish në krah të tij për të blerë të tjera proteza për të tjerë të sprovuar.

Elvisi: Ky burrë aq me merak e ka punën me protezat për njerëzit që kanë nevojë, saqë nuk na lë pa na thënë ju lutem kanë nevojë edhe disa persona të tjerë kanë nevojë për proteza, na ndihmoni.

Nga ajo që tregove, të ka ndodhur para 20 e ca vitesh e ende të mbushen sytë me lotë. Nga ajo që të ka thënë nëna… gjallë e ke akoma?

Izeti: Po gjallë është.

Elvisi: Po na sheh?

Izeti: Po patjetër

Elvisi: Xhemile do të thotë shumë e bukur, unë nënën tënde nuk e kam parë, por ajo që ka bërë tregon shpirtin e saj të bukur.

Izeti: Ajo jeton me mua, është 87 vjeçe, e lodhur, në moshë, por sytë i mban tek unë. Kur dola për të ardhur tek emisioni, më pyet, përherë më pyet ku shkon se bëhet merak.

Izeti: Që prej 4 vitesh, fondacioni Firdeus na ka ndihmuar, kemi ndihmuar mbi 50 nevojtarë. Proteza është mjet lëvizës për ne që na bën të lëvizim, të punojmë, është jetike. Pa to s’mundemi me bërë dot asgjë.

Sidriti: Ne kemi edhe 15 proteza në proces për nevojtarët. Të jeni të bindur motra e vëllezër se kontributet tuaja shkojnë në vendin e duhur.

Elvisi: Qëllimi jonë ishte që të jepnin shembullin tuaj. Ju ka ndodhur një sprovë e madhe, jo vetëm që është i fortë por bën mrekulli, ndihmon të tjerët. Qëllimi ynë ishte t’ju tregonim shembullin tuaj për të dhënë kurajo për të gjithë ata që janë mirë edhe që nuk bëjnë asgjë, por edhe për ata që janë në vështirësi e duhet të gjejnë forcë. Pas teje nuk ka njeri justifikim.

Para se ta mbyllim, ne jemi duke shkuar deri tek numri i 100 personave që kemi e jemi duke ndihmuar. Atje jemi duke shkuar. Ka mundësi që të shkojmë edhe më shumë, sepse mrekullitë e Zotit nuk kanë fund.