Lypte rrugëve për operacionin e nënës, derisa shqiptarët dëgjuan lutjet e saj

 Lypte rrugëve për operacionin e nënës, derisa shqiptarët dëgjuan lutjet e saj

Fatbardha Allko është 22 vjeçe dhe pjesën më të madhe të jetës e ka jetuar pa babanë. I ati e la jetime kur ishte vetëm 5 vjeçe. Por dhimbja e të paturit vetëm disa memorje me babain, është vetëm një pikë e zezë në detin e vuajtjeve të 21 vjeçares.

Fatbardha studion për Financë. Është studente e shkëlqyer dhe ka fituar bursë të plotë. Shokë e shoqe nuk ka, pasi nuk ka për të humbur kohë me të tilla aspekte normale të jetës. I duhet të nxitojë për të shkuar në banesë, pasi nëna e saj është invalide. Prej disa kohësh gjendja e saj shëndetësore po përkeqësohet. Nëna e Fatbardhës Merjemja, ka një problem në këmbën e saj të djathtë, të cilën e ka më të shkurtër.

Pavarësisht vështirësive, ajo ka punuar me mish e me shpirt që të mund të rrisë të bijën, por 6 vite më parë pësoi një aksident në punë. Që prej asaj kohe, situata e saj shëndetësore është përkeqësuar dhe paratë për të kryer një operacion kjo familje e varfër nuk i ka, pasi fjala është për 15 mijë euro.

Fatbardha thotë për emisionin shqiptarët për shqiptarët historinë e saj rrëqethëse. Sytë i mbushen me lotë dhe zëri i dridhet, teksa tregon me detaje sesi jetën e saj e kanë mbështjellë vetëm ditë të zeza

Fatbardha: Nëna ka qenë me aftësi të kufizuar, ka këmbën e djathtë të shkurtër, duhet ta operojë. Punonte në të zezë për të më rritur mua, por po bën 6 vjet që është aksidentuar në punë. U rrëzua aty dhe për 4 vite thuajse nuk ka lëvizur fare. Dy vite u bënë një ndërhyrje bëri, por duhet të kishte bërë dhe një tjetër. Nuk e arritëm për arsyen e vetme që në shtet na thonë se nuk ka proteza dhe ne nuk kemi mundësi ta blejmë një të tillë. 8 muaj ka që lëviz me karrocë.

Nëna e Fatbardhës e ka të vështirë të flasë. I duket sikur i ka shkatërruar jetën të bijës.

Nëna: Vajzën e kam rritur me mish e me shpirt dhe sot vajza e shkretë vazhdon të heqë me mua. Këmba më dhemb, por time bije i them të vazhdojë shkollën, të mos shqetësohet për mua. Ka 6 vjet që më rri pranë, në spital, në shtëpi… gjynah, është torturuar. Për vajzën më vjen keq më shumë se për veten.

Fatbardha tregon se kanë jetuar në Sarandë dhe vetëm kohët e fundit kanë mbërritur në Tiranë, në një banesë fare të vogël me qira në periferi. 21 vjeçarja kursen qindarkat për të marrë autobusin dhe kilometrat për të shkuar deri në shkollë, i bën në këmbë. Me lot në sy, ajo tregon dhe kohën kur janë detyruar të flenë rrugëve të Sarandës për shkak se nuk paguanin dot qiranë.

Fatbardha: Këtë verë disa ditë kemi fjetur jashtë pasi nuk kishim para për të paguar qiranë. Me nënën e sëmurë kemi qëndruar në çadrat e bashkisë. Ishim në Sarandë atë kohë para se të vinim në Tiranë… askush nuk u afrua të na ndihmonte, aty u ndjeva shumë pesimiste… (qan)

Emri i Fatbardhës fatkeqësisht është e kundërta e asaj që i ka ndodhur prej mëse një dekade kësaj 21 vjeçareje. Verën që po lëmë pas nëna e saj tentoi të vetëmbytej në Sarandë. Fatbardha dhe vetë Merjemja e tregojnë me zë dridhur atë moment të errët, mbase më të errëtin në jetët e tyre.

Fatbardha: Kur isha në Sarandë punoja në plazh me çadrat. Mamin e mora një ditë dhe më pa që isha lodhur. U mundua të shkojë në det për t’u vetëmbytur (qan)… në ato momente e kam lënë në shezlong dhe mendova, të vijoj punën… Kur u ktheva kam parë një grumbull njerëzish, ambulancën… aty kam gjetur nënën time. Nuk dija ç’të bëja, fatmirësisht aty ishte një doktor që e kishte shpëtuar.

Nëna: Jam përmendur në spital. U nisëm në Tiranë. I thash doktorit të mos më çojnë në Tiranë, të mos ma torturojnë vajzën…

Fatbardha: I kam thënë pse moj nënë?

Nëna: U pendova për vajzën shumë… më tha do të rrij pranë. Do vazhdoj shkollën dhe ty do të rri pranë. I jam betuar në emër të Zotit që nuk do të gaboj më… por m’u mërzit jeta.

Fatbardha: Unë jam e pafat… por për atë jetoj. Që prej atij incidenti mundohem të mos ta lë asnjë moment vetëm.

E në këto kushte, duke jetuar përditë vështirësi të jashtëzakonshme, Fatbardha mendoi që të dalë në rrugë për të lypur para. Operacioni për një protezë të këmbës për të ëmën do ishte një mrekulli e ardhur nga qielli. Dhe ashtu me sytë larg nga qielli, 21 vjeçarja ka marrë të ëmën. Në duar mban një pankartë me një mesazh për lëmoshë.

E reja erdhi vetë në emisionin ‘shqiptarët për shqiptarët’ nga ku dëgjoi një lajm që do t’i ndryshojë jetën. Në emision merr një emigrant shqiptar i cili prej vitesh jeton në SHBA. Astrit quhej emigranti i cili me zë të dridhur tha se punon dy punë dhe kryen sakrifica të mëdha. Mërgimtari mundohet të mos shpërthejë në lot në momentin kur i thot Fatbardhës që është prekur thellësisht kur e ka parë rastin e saj, pasi edhe e bija ka të njëjtën moshë me të. Astriti i komunikoi Fatbardhës se nuk do të ketë më nevojë të kërkojë lëmoshë, pasi 15 mijë eurot për operacionin do t’ja japë ai.

Astriti: Unë jam shqiptar i Dibrës së madhe, jetoj prej vitesh në SHBA dhe bëj dy punë që të mbaj familjen, të shkolloj fëmijët. Jeta këtu nuk është një fushë me lule siç mendojnë shumë. Që fëmijët e mi të rriten e shkollohen, çdo pikë djerse që më del nga balli, e quaj bekim. Të rritesh sot pa baba është shumë e vështirë, ndaj i them Fatbardhës që të bëhet e fortë. Më falni kam emocione. Kam vajzën time sa Fatbardha dhe kur e pash rastin jam prekur pa masë. Ndaj sot un i them që Fatbardha nuk do të ketë më nevojë të dalë rrugëve për të mbledhur para, do ta jap unë shumën prej 15 mijë eurosh për operacionin e nënës së saj. Fatbardha edhe pse nuk të njoh, unë, shqiptaret, të gjithë ne jemi me ty dhe do jemi me ty. Siç e ke emrin, i lutem Zotit që të kesh një fat të bardhë. Të uroj shërim sa më të shpejtë për nënën.

Elvis Naçi: Astrit na le pa fjalë. Fatbardhën e mbushe me lot, ne po e mbajmë veten. E di që është diçka e madhe kjo që ke bërë, zemra jote është e madhe. Të falënderoj shumë.

Fatbardha: Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për këtë mirësi që po bëni. Uroj që e mira t’ju prijë jetën juve dhe familjes tuaj. Ju uroj gjithë të mira, (qan), shumë faleminderit.

Ambulanca dhe doktorët vijnë në studio dhe marrin Fatbardhën dhe Merjemen për të nisur të gjitha përgatitjet e nevojshme për operacionin në këmbën e nënës.

Naçi: Fatbardha, ne nuk kemi pritur. Kemi sjellë këtu ambulancën që ta marrë mamin dhe menjëherë të nisë puna për të kryer operacionin. Siç thonë, punët e mira nuk presin.