Në varfëri, pa baba! 9 vjeçarja lutet për ndihmë: Më ther në shpirt kur e shoh mamin të robëtohet

 Në varfëri, pa baba! 9 vjeçarja lutet për ndihmë: Më ther në shpirt kur e shoh mamin të robëtohet

I ati iku nga kjo botë në moshë të re. Shpesh e kujton, e mbase në ëndërr e sheh veten me të duke luajtur. Ama veçse në ëndërr mund ta shohë veten si fëmijët e tjerë kjo 9 vjeçare. Jeta nuk i rezervoi ndonjë ditë të bukur, veçse vuajtje. Nuk ka parë kjo vajzë ndonjë dhuratë, ndonjë lodër. Motra e saj është e sëmurë, ndërsa i vëllai është larguar.

Jeton në këtë shtëpi të ftohtë. Gri. Njëlloj siç i shkojnë ditët, në zymtësi dhe pa shpresë.

Jonida: Çdo natë për vete kam frikë, mund të vijë ndonjë ujk… gjarpri, grenzat. Kur iku vëllai ishte tërmet për ne. Nuk komunikon me asnjë prej nesh qëkur ka ikur… e di që do të donte të na ndihmonte, por…

9 vjeçse është Jonida, por bën punët e një të rrituri. I gjendet në krah të ëmës me çka të mundet. Sa herë ajo lan ato pak rroba…

Ose më vështirë akoma, kur vjen koha për të ngrohur sadopak shpirtin dhe trupin.

Jonida: Mami punon me sëpatën, kurse unë mesa mundem të mbaj drutë. Kur më lodhet shpina mami më thotë pusho pak, se kemi rrugë për të bërë.

Kur ajo rrëfen për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, shumë fjalë ia dedikon nënës. Sa shumë mërzitet kur e sheh të robëtohet, të lodhet, të mundohet, që dita të kalojë me një pjatë ushqim. Ëndrra e saj? Të bëhet doktoreshë! Të ndihmojë nënën.

Jonida: Edhe ndonjëherë që e shoh shumë të lodhur, mendoj sesi mund të vuajë ajo e unë të duroj kaq shumë. Them me vete, sa të rritem pak dhe të punoj, të bëj çdo gjë që ajo të mos lodhet kurrë më… më dhemb shpirti. Kur e shihja duke e pirë ilaçet, më therte shpirti.

Kur sheh të tjerët të gëzuar, mendon, a do të gëzohem unë ndonjë ditë.

Unë do të bëhem doktoreshë, që sa të sëmuret mami, t’i vij menjëherë në ndihmë. E mendoj jetën të shkurtër me gjithë këto vuajtje, si mund të kalojë njeriu kshu, them me vete sa kam duruar.

Loton kjo 9 vjeçare, aqsa sytë e saj ia lejojnë. Shumë vuajtje ka kaluar dhe kërkon ndihmën e shqiptarëve.

“Çdokush që të mundet, me sado pak të më ndihmojë… se ajo pak për mua është shumë. Ju lutem, të bëni vetëm një shtëpi për ne, se me këto kushte nuk e di a do kem ndonjë ditë të bardhë për veten, motrën apo nënën.”-thotë vogëlushja.