“Nga zemra e një nëne…” Shqiptarët i shpëtuan të bijën nga paraliza, këto janë fjalët e nënës së Klementinës

 “Nga zemra e një nëne…” Shqiptarët i shpëtuan të bijën nga paraliza, këto janë fjalët e nënës së Klementinës

“Xhaxhi dhe nëna më çuan tek spitali. Mjekët thanë që kisha skoliozë, 64 gradë e kam shtyllën… që nga ai moment, shumë jam mërzitur. Kam qenë shumë normale… por tani skolioza më ka ndryshuar. Më ka marrë malli që të vrapoj, të rri me shoqet. Doktori ka thënë që nëse nuk operohesh, do të paralizohem. Unë kam shumë frikë se mos paralizohem. I lutem Zotit që të mos më ndodhë…”

Këto ishin fjalët e Klementinës, një vajzë që prej kohësh duronte dhimbjet në trup, s’mund të vraponte më, e s’mund të lëvizte dot si të gjithë moshatarët e saj. Klementina vuante nga skolioza, e cila ia kishte shtrembëruar shtyllën deri në 60 gradë. Rrezikonte paralizën e sigurt dhe jo vetëm… sëmundja mund t’i merrte jetën.

“Për gocën më ka përvëluar shpirti… kush e ndihmon atë, veçse Zoti i madh. Kush e ve dorën ne zëmër për atë… (qan) po nuk kam ku shkoj, nuk kam ku të përplasem”-thoshte për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët, nëna e Klementinës.

Shqiptarët iu përgjigjën lutjeve të kësaj nëne të vuajtur. Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” së bashku me bamirësit arritën të mbledhin në kohë rekord shumën e nevojshme për operimin e Klementinës. Lotëve e dhimbjeve të shumta, u erdhi fundi në momentin kur nëna e gjyshja e Klementinës panë vogëlushen tek doli nga operimi i suksesshëm.

Nga rasti i Klementinës tashmë kanë kaluar shumë muaj dhe emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” udhëtoi sërish për të vizituar familjen Lena. Atje e buzëqeshur na pret Klementina. Sa e gëzueshme të shohësh një vajzë që nuk ka më dhimbje, që nuk vuan sepse familja e saj nuk kishte mundësi financiare.

“Jeta ime ka 8 muaj që ka ndryshuar. Nuk kam më marrje fryme, dhimbje shpine. Çohem në mëngjes e iki në shkollë, çantën e mbaj vetë tashmë, jam shumë e lumtur

Unë bëra operimin, vetëm falë emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”, të cilët i falenderoj.”-na tregon Klementina.

“Para unë nuk luaja dot me motrën, kurse tani luajmë bashkë. Ajo e ka kurrizin mirë edhe nuk e ka më të shtrembër kurrizin, gëzohem shumë që motra ime është bërë mirë.”-thotë kjo vogëlushe, motra e Klementinës.

Por fjalët më të ndjera, dalin nga shpirti i një nëne. Nëna e Klementinës përmes “Shqiptarët për Shqiptarët” falenderoi përzemërsisht ata shqiptarë, ata bamirës, që bënë të mundur operimin për të bijën. Siç thotë ajo, nëse nuk do të ishte për shqiptarët, vajza e saj do të kishte mbetur e paralizuar.

“Janë mbushur plot 8 muaj, goca ka patur përmirësime. Ka ecur lirshëm, vajza ecën drejt, nuk ka shqetësime.

Ne ndjeheshim shumë keq, nuk kishim mundësi për operimin. Frika ishte që vajza mund të paralizohej, të mbetej sakate.

Kur vajza doli nga salla, nuk kishte gëzim më të madh, shumë emocione kisha… ata që kontribuan për vajzën, unë i falenderoj shumë. I falenderoj nga zemra e një nëne, të gjithë shqiptarët që ndihmuan vajzën, mos të ishte për ta vajza do kishte mbetur… ju falenderoj.”-tha nëna e Klementinës.

Ndiqeni klipin