“Nuk e bëra me të keq” Del para gjykatës i riu që rrezikoi jetën e qytetarëve në Tiranë

 “Nuk e bëra me të keq” Del para gjykatës i riu që rrezikoi jetën e qytetarëve në Tiranë

Të dielën e gjithë vëmendja në kryeqytet u shkëput për disa minuta nga zgjedhjet parlamentare, pasi në sheshin “Skënderbej” hyri një makinë, që kreu disa manovra të rrezikshme.

Automjeti drejtohej nga një 32 vjeçar, veprimet e pakontrolluara të të cilit vunë jetën e shumë personave në rrezik. Falë një të riu dhe veprimit të tij heroik, gjithçka përfundoi pa të lënduar, ndërsa policia vuri në pranga 32 vjeçarin.

Këtë të mërkurë Arben Mema ka dalë para gjykatës së Tiranës për masën e sigurisë. I pyetur në sallën e gjyqit për arsyen e hyrjes në shesh me makinë, 32 vjeçari tha:

“Nuk e bëra me të keq, do ikja djathtas mu kthye makina majtas… më doli makina jashtë kontrollit!”

Gjykata vendosi ta lërë në burg 32 vjeçarin, teksa prokuroria ka ngritur akuzat e tentativës së vrasjes, shkatërrimit të pronës dhe prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike.

32 vjeçari rezultoi të ishte nën efektin e alkoolit e lëndëve narkotike, ndërsa policia i gjeti në makinë një sasi kanabisi.