Pa mbushur 1 vjeç, prej 20 ditësh i intubuar! Sot Oani gëzon shëndet falë shqiptarëve bamirës

 Pa mbushur 1 vjeç, prej 20 ditësh i intubuar! Sot Oani gëzon shëndet falë shqiptarëve bamirës

Në fund të muajit tetor, nëna e një foshnje që ende nuk i kishte mbushur 12 muaj në këtë botë, iu drejtua për ndihmë emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Fëmija i saj, Oani, prej mëse 20 ditësh qëndronte në intubim dhe po shuhej ngadalë. Oani ishte një fëmijë i shëndetshëm por prej një ndërhyrje, jeta e tij u vu në rrezik. E vetmja shpresë ishte që ai të kurohej jashtë shtetit, një faturë të cilën familja e Oanit s’mund ta përballonte.

Ashtu si përherë, shqiptarët bamirës ishin ata që dhanë diçka nga vetja e tyre, për t’i shpëtuar jetën këtij vogëlushi.

Dhe sot, pikërisht falë shqiptarëve bamirës, Oani është në gjendje mjaft të mirë shëndetësore, atje ku duhet të jetë, në krahët e prindërve të tij. Elvis Naçi shkoi ta vizitojë vogëlushin për të parë nga afër, se çfarë arrijnë të bëjnë shqiptarët, kur janë të bashkuar dhe ndihmojnë njëri tjetrin. Ky është mesazhi që jep Elvis Naçi:

“Zoti ju shpërbleftë se keni bërë një vepër të madhe. Jeni bërë sebep për jetën e një fëmije. Faleminderit Zot dhe atyre njerëzve që janë bashkuar për të ndihmuar Oanin. Kurrë nuk e kam menduar që po vijmë në këtë ditë e po bëhemi sebep që fëmijët shqiptarë si në këto situata të këqija mjekësore, të bëhen mirë, të jenë afër prindërve, gjyshërve, t’i përqafojnë ato e të jetojnë. Zot na shpërbleftë të gjithëve, e ju begatoftë me çdo të mirë në familjet e juaja”-tha Elvis Naçi.