Rrëfimi i Margaritës: Nga braktisja e së ëmës tek sëmundja e babait, njeriut që e rriti i vetëm

 Rrëfimi i Margaritës: Nga braktisja e së ëmës tek sëmundja e babait, njeriut që e rriti i vetëm

Jetoj me babain, asnjë njeri tjetër. Mamin nuk e kam takuar asnjëherë, e kam parë vetëm në foto. Kur kam qenë e vogël ajo më ka lënë… gjithmonë e mendoja, ku është mami im. Prekesha ndonjëherë kur më pyesnin. Unë në jetën time kurrë nuk kam thënë mami, vetëm babi, gjithmonë. Babi më ka rritur, është kujdesur për mua. Për mua ai është gjithçka, nënë, baba, motër, vëlla, shok… shumë e dua.

Me këto pak fjalë e përmbledh fëmijërinë e saj Margarita. Ajo jeton në Delvinë me të atin, Lindonin. Është në klasën e pestë. Në moshën 11 vjeçare, kjo vajzë përballet me një sprovë që do të hidhte në tokë shumëkënd… babai i saj është i prekur nga një sëmundje e rëndë.

“Tani babi u sëmur dhe nuk punon dot më, nuk lëviz dot më. Kam lexuar që Parkinsoni është një sëmundje që të lë në shtrat, palëvizur. Nuk kam lexuar gjë tjetër, sepse e dija që do të më mërzisnin. Ka patur shumë raste që nuk flet, nuk lëviz. Kam frikë se mos kur unë jam në shkollë, pëson ndonjë, bie e humb ekuilibrin… bie në shesh. Atë e kam frikë shumë të madhe, e kam ankth. Njëherë në shkollë kam bërë një gabim në mësim, por unë e kisha mendjen tek babi se doja të ikja t’i jepja ilaçin.”-rrëfen 11 vjeçarja mes lotëve.

Përgjatë gjithë jetës së saj, Margarita ka patur forcën e përkujdesin e Lindonit. Tashmë, është ajo që mundohet të jetë shtylla për babain e saj.

“Çohem natën, se dëgjoj babin që rënkon. Këtu në shtëpi, të gjitha i bëj unë. Mëngjesin e bëj për veten dhe për babin, i lë ilaçet dhe iki në shkollë. Kur kthehem, i jap ilaçet, sepse duhet t’i pijë në kohë, përndryshe ai bllokohet e nuk lëviz dot. Unë nuk e kam problem që nuk dal me shokët e shoqet, se dua të rri në shtëpi, të kujdesem për babin. Unë frikë kam se mos i ndodh diçka e keqe, e duhet të jem gjithmonë në krah të babit.”-tregon 11 vjeçarja.

Margarita është ende një fëmijë. Por ajo nuk del të luajë me shokët e shoqet. Ajo nuk luan me lodra. Prej shumë kohësh, Margarita as nuk buzëqesh më dot.

“Më vjen mirë që e ndihmoj, se dua të bëhet mirë, ta kem pranë. Kur kam qenë e vogël, ne gjithmonë luanim. Më ndërtonte gjëra shumë të bukura. Më bënte aeroplanë me kartonë, më blente shumë gjëra… tani që është sëmurë, i mbaj në mendje ato e shpresoj që të ndodhin prap.

Qëkur filloi babi të sëmurej, nuk kam qeshur më… vetëm kur ai ka qenë mirë, sepse më vjen shumë gjynah për babin. Kam frikë se mbetem vetëm, unë nuk dua që babi të iki, e dua përkrah gjithmonë.

Imagjinoj sikur babi të iki, unë mbetem vetëm… e imagjinoj shumë, por babit nuk ia kam thënë këtë. Nuk dua që ta humbas babin. Do jepja gjithçka që ta kisha babin më mirë. Edhe jetën time që babi të ishte mirë. I lutem Zotit që im atë të mos vdesë para kohe.”-rrëfen Margarita.

E përveçse sëmundjes së Lindonit, shtëpia ku jetojnë babë e bijë është në gjendje të mjeruar.

“Kjo shtëpi ka qenë shumë e bukur, më ka thënë babi. Tani që ndodhi kjo, unë kam frikë që të vij këtu. Nuk dua ta shikoj këtë dhomë kështu. Gjithmonë e kam ëndërruar që ta marr babin e të iki në një vend të sigurt, që të mos na kapë diçka e keqe. I lutem shqiptarëve, të na ndihmojnë për shtëpinë dhe që të më shërohet babi.”-thotë mes lotëve 11 vjeçarja.