“Zoti ia shpërbleftë atij zotërie” Një shqiptar zemërmirë dhuroi shtëpinë për nënën me dy jetimë

 “Zoti ia shpërbleftë atij zotërie” Një shqiptar zemërmirë dhuroi shtëpinë për nënën me dy jetimë

Violeta jetonte në kushte tepër të rënda në fshatin Vidhas të Elbasanit. Prej 5 vitesh i shoqi i kishte ndërruar jetë, ndërsa kjo nënë heroinë i rriti mes sakrificave dy djemtë.

“Shqiptarët për Shqiptarët” e gëzuan me një lajm të madh nënë Violetën, duke i bërë me një shtëpi të re.

Pas dhuratës së madhe, Elvis Naçi shpjegoi se shtëpia ndodhej në zonën e plazhit në Durrës. Një shtëpi me të gjitha kushtet, e cila ishte dhuruar nga një shqiptar me zemrën e bardhë.

Elvisi tregoi se zotëria me emrin Mehdi, kishte vendosur të dhuronte banesën e tij për një familje në nevojë. “Shqiptarët për Shqiptarët” e çuan amanetin e tij në fund, duke i sjellë një gëzim të madh një nëne që prej vitesh jetonte në skamje.

“Gëzuam një familje, kush gëzon jetimin e gëzoftë i madhi Zot. Ai person që dhuroi shtëpinë, po i them vetëm emrin, është zotni Mehdiu. Është i Tiranës. Është në moshë pak të thyer e na tha se nuk e shfrytëzonte më shtëpinë, në zonën e plazhit në Durrës. Prandaj bëja shaka me atë djalë që i ka ndërruar jetë babai, a di not se ja tek e ke detin. E kush mund ta meritojë më shumë një shtëpi, sesa jetimët.

Zotni Mehdiu, Zoti ja shpërbleftë… nganjëherë nga ngarkesa jonë me programin, më mori një ditë në telefon e më tha “hë mo Elvis, çfarë u bë me shtëpinë”. I thoja për pak durim, se ishim në kërkim për një familje me jetimë. “A do e bësh apo jo” më thoshte, e me shaka shtonte “se unë sot jam e nesër jo”. E kishte me merak shumë, se jemi dhe miq me të. Mundëm ta realizojmë dhe Zoti ja shpërbleftë se është gjë e madhe ajo që ka bërë“-rrëfeu Elvisi.