Një mrekulli shqiptare për familjen e minatorit të ndjerë

 Një mrekulli shqiptare për familjen e minatorit të ndjerë

Të thuash që jeta e saj është e vështirë, ke treguar shumë pak. Kjo nënë rrit e vetme tre fëmijë të mitur dhe puna që bën është të shkojë në afërsi të minierave në Bulqizë, për të mbledhur me çekan krom.

Burbuqja prej muajsh ka humbur të shoqin, minator. E shqiptarët s’mund ta braktisnin këtë familje, që lufton përditë për bukën e gojës.

Sidriti e Meri Bejleri vizitojnë familjen në Bulqizë, teksa Burbuqen e gjejmë duke çarë gurë për të gjetur krom.

Një mrekulli e shqiptarëve i pret këta fëmijë e këtë nënë të vuajtur. Sidriti e Meri i thonë me kast se fondacioni Firdeus do t’i paguajë qiranë për një 1 vit… pa i treguar se po i marrin për t’i dërguar në shtëpinë e tyre të re.

Sidriti: Shqiptarët nuk deshëm kurrsesi me ju lënë vetëm

Burbuqja: Nuk e di çfarë të them, është e pabesueshme

Meri: Sidrit thuaja, Burbuqe, shtëpia këtu nuk është me qira, por e juaja! E gëzofshi!

Burbuqja: Nuk di si t’ju falenderoj… nuk di çfarë të them… Faleminderit shumë shumë që keni bërë kaq të madhe për ne.

Meri i drejtohet fëmijëve, të cilët nuk dinë se çfarë të thonë.

Meri: Ta keni të sigurt se babi juaj atje lart do të jetë i gëzuar për këtë dhuratë që ju kanë bërë shqiptarët

Burbuqja: Fëmijët që kur ka vdekur bashkëshorti as nuk folin… rrinë në atë vetminë e brendshme, nuk dalin as me shokë e shoqe. Shumë keq e kanë përjetuar.

Sidriti: Mungesën e tij s’mund të zëvendësojmë dot, por unë po ju them se babi po na sheh. Ai ka patur një amanet që ia la mamit. Mami amanetin ia tha të gjithë shqiptarëve e ata nuk e lanë të shkojë në vesh të shurdhër.