Çfarë zbuloi ekspertiza për zjarrin në magazinën ku humbi jetën, heroi Arjan Sala

 Çfarë zbuloi ekspertiza për zjarrin në magazinën ku humbi jetën, heroi Arjan Sala

Zjarri që shpërtheu në magazinën ku humbi jetën Arjan Sala, u shkaktua nga shkëndija elektrike në një neon të vjetër.

Fakti ka dalë nga ekspertiza e shërbimit zjarrfikës, e cila e ka dorëzuar raportin e saj me konkluzione pranë prokurorisë së Tiranës.

Nga hetimet rezultonte se neoni ishte në gjendje të amortizuar dhe fare pranë një rafi me rroba sintetike. Sipas ekspertizës së zjarrfikësve, në pjesën më të madhe të kohës neoni ishte i tejnxehur dhe mund të ketë qenë shkaku kryesor i nisjes së zjarrit në magazinë.

Sakaq, prokuroria ka kontraktuar një ekspert të pavarur i cili do të hetojë kabujt elektrikë në garazhin e vjetër të qendrës tregtare, i modifikuar si magazinë.

Kujtojmë se më 24 mars, magazina u pushtua nga flakët. Si shef i sigurisë, Arjan Sala shkoi menjëherë në vendngjarje dhe arriti të largojë disa dhjetëra persona nga rreziku. Më tutje ai tentoi të shuajë flakët në magazinë, por pas më shumë se 24 orësh në betejë me zjarrin, ndërroi jetë në brendësi të magazinës.

4 ditë u deshën që flakët, tymi e vatrat e zjarrit të shuheshin plotësisht, kjo për shkak se në magazinë kishte një sasi të konsiderueshme plastike (këpucë, etj).

Për mosmarrjen e masave për mbrojtjen e godinës nga zjarri, shërbimi zjarrfikës ka gjobitur me dy milionë lekë të vjetra pronarin e qendrës tregtare.