Mesazhe prekëse nga banorët e Lushnjes, 24 familje do të bëhen me shtëpi të reja

 Mesazhe prekëse nga banorët e Lushnjes, 24 familje do të bëhen me shtëpi të reja

Shumë familje në qarkun e Lushnjes u prekën po njëlloj rëndë nga tërmeti. Ashtu siç ndodhi në Thumanë, siç do të ndodhë me një lagje të re në Pezë e një pallat në Lezhë, Fondacioni Firdeus i ka qëndruar pranë shqiptarëve në Lushnje, duke marrë përsipër rindërtimin e shtëpive të tyre. Elvis Naçi udhëtoi drejt Lushnjes për të takuar 24 familje të cilat shumë shpejt do të bëhen me shtëpi të reja. Banesa individuale plotësisht të reja, të sigurta e për më tepër të mobiluara plotësisht.

“Shtëpiat po ndërtohen. Po kujdesemi që jo vetëm t’i bëjmë shtëpitë, por të jenë të mira, të jenë cilësore. Shqiptarët e mirë u bënë shkak që, Fondacionit Firdeus, t’i japin disa fonde e dhurime të konsiderueshme për tërmetin. Amaneti i parë ishte Thumana. Pas saj, ka qenë fokus bashkia e Lushnjes, ju. Po shikojmë të ndërtojmë në Pezë e Lezhë. Kjo do të jetë një shqetësim i yni për ju, me shumë shpirt e zemër. Kjo që ne po bëjmë është detyrë e çdo njeriu që ka një zemër të mirë shqiptare. Po mundohemi që të bëjmë dhe mobilimin e shtëpive që po ndërtojmë për ju. Mo kini merak, taksirati juaj do të jetë vetëm të hyni në to. Zoti ju bekoftë.”-shpjegoi Elvisi përpara familjarëve.

Puna ka nisur për shtëpitë në Lushnje. Të prekur nga mirësia, e cila zanafillën e pati në përbashkimin e shqiptarëve, këto janë disa nga mesazhet që banorët në Lushnje kishin për bamirësit.

“Rindërtimin e shtëpisë nuk e prisnim. I falenderoj shqiptatët, kudo që të ndodheni.”-thanë burrë e grua, të lumtur që do të kenë tashmë një shtëpi të re.

“Faleminderit shumë Elvis Naçit, shqiptarëve, që po na bëjnë shtëpinë. Zoti ju ruajtë inshallah, faleminderit shumë shumë”-tha një e moshuar ndërsa zëri i dridhej prej emocionit.

“Zoti ju bekoftë, faleminderit që na ndërtuat shtëpinë”-tha një zonjë.

U faleminderit të gjithëve, Elvisit personalisht, emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”-tha një burrë.

“Aq i kënaqur jam, sa s’ka ku të shkojë më, sepse unë vetë nuk do ta bëja kurrë këtë punë. Zoti ua shpërbleftë njëmijë fish, na nxorrët nga të këqijat. Të gjithëve, Zoti ua shpërbleftë.”-tha një tjetër banor i Lushnjes.