Apeli prekës i shqiptarit me aftësi të kufizuara nxjerr nga ‘ferri’ familjen me 4 fëmijë

 Apeli prekës i shqiptarit me aftësi të kufizuara nxjerr nga ‘ferri’ familjen me 4 fëmijë

4 fëmijët jetojnë brenda me nënën Ermirën dhe babain Ardianin. Të dy prindërit janë të sëmurë, Ardiani me epilepsi, ndërsa Ermira pas lindjes së djalit të vogël pësoi goditje në kokë e në zemër. Gjendja e tyre shëndetësore i ka lënë pa një punë të përhershme, ndërsa kushtet ku ata jetojnë janë ekstreme.

Kjo është historia e familjes Sala, e cila jeton në kodër Kamëz në Tiranë.

“Më vjen shumë keq për mamin, për babin, për motrën dhe vëllain. Jetojmë në kushte shumë të vështira. Mami nuk ka çfarë të bëjë. Babin e kemi shumë të sëmurë”,-shprehet njëra prej vajzave.

“Kështu është jeta jonë, çdo sabah ngrihemi mes fukarallëkut. Është shumë e vështirë për fëmijët. Mendojmë më shumë vetëm për fëmijët t’i fusim diku brenda. Çfarë të ketë shkruajtur Zoti. Në dorën e Zotit kemi ngelur. Ishalla bëhet më mirë. Këtu është dysheku që flemë në darkë dy vajzat vetëm ja ky këtu”,-thotë Ermira, e cila i lutet shqiptarëve që ta ndihmojnë.

Dhe duket se thirrja e saj për ndihmë është dëgjuar, nga një djalë që jo të pakta i ka vështirësitë e problemet. Ky është Jetmiri. Ai është me aftësi të kufizuara.

“Unë nuk kam ecur kurrë dhe karroca është gjeja me e shtrenjtë për mua, sepse me të mund të lëviz. Nuk e di se si njerëzit nuk janë të lumtur, unë i shikoj tek ecin, tek flasin, tek përqafohen e unë nuk mund ta bëj, e përsëri them faleminderit Zotit sepse dal jashtë, kam shokë që rrinë me mua.”

Flet me vështirësi dhe për të lëvizur i duhet një karrige me rrota, por zemra e tij është ndryshe nga trupi. Jetmiri iu drejtua emisionit ‘shqiptarët për shqiptarët’ me një letër, duke kërkuar që ta ndihmojnë këtë familje të vuajtur.

“Kam folur me Ermirën me mesazhe, i dhashë shprese asaj edhe vetes, që zëri im do të dëgjohet. Aty jetojnë katër femijë, të cilët hane në toke. Ermira qan shpesh, fëmijët po ashtu, nuk është e lehte t’i dëgjosh vuajtjet e saj. Vetë është e sëmurë, por ajo ka hallin e fëmijëve. Ndaj ju lutem merreni parasysh këtë mesazh, unë jam me aftësi të veçanta e nuk mundem të bej me shumë se t’ju shkruaj.”

Sidrit Beljeri shkoi ta takojë Jetmirin dhe i kërkoi që të vinte me makinë drejt një banese. Bejleri i tha Jetmirit se do ta linte në banesën e re dhe se do të ishte ai që do t’i jepte surprizën familjes Sala.

Me të ardhur familja, Jetmiri, pavarësisht vështirësisë në të folur, i tha Ermirës se kishte ardhur në shtëpinë e saj të re dhe jo në banesën e tij.

“Më duket akoma sikur kam ardhur për vizitë këtu, nuk e imagjinoj dot ende. Jam nëna më e lumtur në botë, fëmijët nuk do të kenë më ftohtë e do të jetojnë shumë më mirë. Falenderoj shqiptarët kudo që janë.”-thote Ermira.