Humbi jetën në azil, video mesazhi i ndjerë i nënës së dy fëmijëve

 Humbi jetën në azil, video mesazhi i ndjerë i nënës së dy fëmijëve

Jemi në Durrës, ku brenda një banese me qira jetojnë së bashku me gjyshen dhe gjyshin dy fëmijë jetimë që kanë patur një fat thellësisht të errët dhe të dhimbshëm.

Historia e familjes Molla është e rëndë ngado që e sheh dhe gjithçka nis me vdekjen e babait të dy fëmijëve. Nëna e të ndjerit, në atë kohë vetëm 27 vjeç, tregon për emisionin shqiptarët për shqiptarët se me çfarë vështirësish të jashtëzakonshme është përballur.

Gjyshja: Unë quhem Rrahime Molla, vijmë nga Skrapari por në Durrës kemi 20 vite. Djali me nusen u martuan po vajza kishte probleme në zemër. Vuante që prej vegjëlisë, e kishte të lindur. Tre operacione kish kryer. Në kohën që mbeti shtatzënë me vajzën e vuante sëmundjen e zemrës. Megjithatë goca lindi, me shumë probleme. Në atë kohë nusja kishte rrezik për jetën por falë Zotit shpëtoi, ia hodhëm. Ajo ndenji atje në spital kurse gocën e rrita unë.

Rrahimja rikujton sërish tragjedinë që i ndodhi të birit. Një aksident në vendin ku punonte, i mori jetën. E lodhur nga dhjetëra të këqijat që i janë përplasur, e moshuara derdh lot për fatkeqësinë që i ka ndodhur 10 vite më parë.

Rrahimja: Pastaj ndodhi ajo e çunit… në një moment shumë të vështirë. Më 5 maj të 2009, djali… (qan) nuk kishte ardhur në shtëpi. E prisnim të vinte dhe gjithë natën e kërkuam. Në orën 8 të mëngjesit e gjetëm atje, një aksident në punë. Ajo ishte një bombë, e pallogaritshme. Nusja ishte 6 muajsh shtatzënë me çunin.

Por sikur të mos mjaftonte vdekja e djalit, kjo grua duhej të përballej dhe me sëmundjen e nuses dhe me faktin se dy fëmijët e të birit, Nadia dhe Faiku, ishin ende tepër të vegjël. Me lot në sy, gruaja tregon se nusja ishte e sëmurë që në lindje nga zemra. Iu desh të udhëtonte për shkak të sëmundjes si një azilante në Gjermani.

Rrahimja: Kemi qenë shumë keq sepse kishim dy qera për të paguar, banesën tonë dhe të djalit… mezi i kemi rrit fëmijët. Unë e di se çfarë kam hequr, sepse edhe për nusen duhej të kujdesesha, ajo ishte sëmurë. Djali lindi dhe ai me probleme, ka probleme me zemrën. Djali im 27 vjeç la një grua dhe dy fëmijë, unë dhe im shoq e dimë sesi e kemi përballuar. Vajza iku në Gjermani. Shpresova që do të rregullohej për shkak të sëmundjes që kishte.

Nadia e kujton kohën kur së bashku me të ëmën dhe vëllain u nisën drejt Gjermanisë. Familja shkoi si azilkërkues dhe me shpresën se Valbona do të mund kurohej për sëmundjen që mbante që prej lindjes.

Nadia: Unë kam qenë 8 vjeç kur ikëm në Gjermani. Ne shkuam atje sepse mami ishte e sëmurë me zemër. Mbaj mend kur hipën në autobuz, gjyshja qau shumë. Kur arritëm atje, ishin shumë njerëz, shumë azilantë të tjerë, ishte plot. Kishte vetëm një dhomë dhe kuzhinën e ndanim me të tjerët. Kishte dhe buburreca dhe banjon e ndanim me të tjerët.

Por gjithçka shkoi si më keq. Valbona u sëmur rëndë.

Vajza: Atje mami mbeti në gjendje kome. Mendova se do të shërohej prap. Neve, mua dhe vëllain na çuan në shtëpinë e fëmijës.

Më pas erdhi tragjedia. Një tragjedi të cilës këta fëmijë edhe pse të vegjël, s’do mund ta harrojnë dot kurrë. Pas lotëve për të birin, tashmë të vdekur prej 10 vitesh, Rrahimja derdh lot për Valbonën, e cila humbi jetën në Gjermani

Gjyshja: Pas 8 ditësh nusja kishte reaguar shumë pak. Kishte lëvizur pak gishtat dhe i kishin rrjedhur lotë nga sytë. Atë pasdite dha shpirt.

Ndërkohë fëmijët kujtojnë ato ditë të vështira. Nuk e dinin që nëna e tyre kishte vdekur dhe nuk do të mund ta shihnin kurrë, njëlloj si babanë e tyre të cilin e kanë njohur vetëm nga fotot. Nadja tregon momentin kur një familje gjermane ishte ofruar për t’i adoptuar, por ata preferuan të rikthehen në Shqipëri.

Nadja: Erdhi gjyshja dhe tezja. Na morën nga azili. Nuk donin të na e tregonin që mami kishte vdekur, por e morëm vesh më vonë. Atje ata të sociales na pyetën nëse donin të qëndronim në Gjermani apo të iknim në Shqipëri.

Faiku, edhe pse ende shumë i vogël sa kujton emrin e të ëmës struket. Kur flet për nënën, lotët i derdhen çurk nga dhimbja. E merr malli përditë për fytyrën, për erën e saj.

Djali: Ishte gjithmonë e mirë… (qan) më ka marrë malli për fytyrën e saj, për gjërat që kemi bërë bashkë, për të gjitha.

Gjyshja: I lutem zotit që të jetoj e të mos kem probleme, të paktën sa t’i rris fëmijët, të shkojnë 20 vjeç të paktën se s’mund t’i lë ata vetëm.

Por kush është mesazhi që Valbona e ndjerë ka lënë për shqiptarët dhe këdo që kërkon ta dëgjojë? Pak ditë para se ajo të ndërronte jetë, kishte regjistruar një video-mesazh. Një amanet për këdo që ka zemër dhe shpirtdhembshuri për fëmijët. Mbase ajo e dinte që nuk do të qëndronte gjatë në këtë botë dhe regjistroi këtë mesazh.

“Unë jam Valbona Molla, jam mami i Nadias dhe Faik Mollës, ndodhem jashtë vendit për arsye shëndetësore nuk ndodhem në Shqipëri, dua tu falënderoj përzemërsisht për mbështetjen tuaj që keni dhënë ndaj meje, do doja të më mirëkuptoni të më mbështesni siç keni bërë gjatë gjithë kësaj kohë, nuk e di kur do të kthehem, nuk e di sa do të zgjasë kurimi im, nuk e di kur do të ndodhem aty, faleminderit për mirëkuptimin, jam një nënë e dy fëmijëve jetimë që kërkon mbështetjen tuaj, në çdo minutë, në çdo sekondë”.

Për të parë se çfarë bënë Shqiptarët për Shqiptarët, klikoni në linkun më poshtë: